TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Mars 2024, 08:09

Hetimi për koncesionin e sterilizimit, SPAK i komunikon sot akuzën Ilir Beqajt 

Shkruar nga Pamfleti
Hetimi për koncesionin e sterilizimit, SPAK i komunikon sot akuzën
Ilir Beqaj në SPAK

Sot pritet që Beqajt t’i komunikohet akuza shpërdorim detyre për sterilizimin.  

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është paraqitur në SPAK. Sot pritet që t’i komunikohet akuza shpërdorim detyre për sterilizimin.  

Ish ministri i Shëndetësisë dhe 8 të tjerë janë zyrtarisht nën akuzë nga SPAK për dosjen për koncesionin e sterilizimit. 

Beqaj i cili akuzohet për 'shpërdorim detyre' do të jetë në bankën e të akuzuarve së bashku me ish zëvendësin e tij në Ministrinë e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj që mori koncesionin e sterilizimit, të dy në burg që prej gushtit të kaluar, aty ku u janë komunikuar edhe akuzat. Zv. ministri akuzohet për shpërdorim detyre ndërsa biznesmeni për mashtrim.

Në gjykim do të shkojnë edhe 6 ish zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të tenderit të sterilizimit. Saimir Kadiu drejtor ekonomik dhe Marsela Serjanaj drejtoreshë juridike të cilët janë në arrest shtëpie, dhe mjeku Arben Gjata, Naile Ajazi, Genc Byrazeri dhe Petro Mersini që deri më tani kanë pasur masën 'detyrim me paraqitje'. Ndërkohë që një muaj më parë u vendos sekuestro edhe ndaj dy kompanive të Rrapajt dhe disa aksione të tij në një shoqëri tjetër tregtare.

Hetimet janë kryer nga prokurorët Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi të cilët kanë pritur deri në momentet e fundit për mbylljen e hetimeve, afati i të cilave përfundonte pikërisht më 15 mars. SPAK akuzon për shkelje në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj.

Prokuroria thotë se në dhënien e koncesionit të akuzuarit nuk kanë respektuar ligjin dhe kanë shpërdorur detyrën ndërkohë që sipas akuzës Ilir Beqaj ka pasur njohje dhe miqësi të fortë me biznesmenin Ilir Rrapaj. Ndër gjetjet e konstatuara nga SPAK janë edhe procedurat e ndjekura për fituesin por dhe mos realizimi i kushteve të parashikuara në kontratë.

Çfarë ndodh me dosjen?

Brenda afatit 10 ditor të akuzuarit kanë të drejtën të paraqesin kundërshtimet e tyre pastaj prokurorët Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi dërgojnë dosjen në GJKKO. I takon gjyqtarit të seancës paraprakeve vendos nëse do e kalojë dosjen në gjykatë për gjykim, do e rikthejë në SPAK apo do e pushojë dosjen. Sot ishte afati i fundit që kishte caktuar GJKKO ndaj SPAK për mbylljen e hetimeve të dosjes.

ilir beqaj hetimi për koncesionin e sterilizimit

Lini një Përgjigje