
Erald Çarçiu, prind i dy vajzave binjake që frekuentonin kopshtin publik në Gramsh ku disa ditë më parë u zbuluan raste të infektimit me salmonelë, ka folur lidhur me ngjarjen e rëndë.
Ai tha se vijon të mbahet sekret nga autoritetet ndërsa u shpreh se mbrëmjen e djeshme janë konfirmuar edhe 10 raste të tjera me salmonelë, përfshirë fëmijë dhe staf të kopshtit.
Çarçiu shtoi se 10 ditë më parë, fëmijët kanë konsumuar supë pule, ndërsa më pas kanë filluar të shfaqen edhe shenjat e infektimit me salmonelë.
“Akoma vazhdojnë ta mbajnë mbuluar, në mënyrë sekrete nëpër e-mail personale. Nuk arrij ta kuptoj pse është ky mbuloj kur edhe ne kemi nevojë të na japin edhe këshilla, si të veprojmë me fëmijët. Ata fëmijët e prekur, si duhet të kurohen, ku duhet të kurohen. Nuk e kuptoj këtë heshtjen, pse duhet ta mbulojnë, çfarë halli kanë që duan ta mbulojnë. Këtë nuk arrij ta kuptoj.
Janë 14 raste fëmijë dhe staf, nuk janë 4. Është konfirmuar edhe tek të tjerët. Të premten e kaluar, fëmijët kanë konsumuar supë pule dhe pastaj kanë filluar shenjat. Një e nga një fëmijët. Përgjigjet e analizave këtu i vonuan, i kanë nxjerrë ditën e djeshme për 10 vetë.
Me prindërit e fëmijëve që unë kam biseduar, ka një shqetësim. Me njërin prej tyre që unë kam qenë mbrëmë, fëmija kishte ende probleme. Shumica e fëmijëve e marrin mjekimin në shtëpi”, tha ai për “Ora News”.
Lini një Përgjigje