Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar gjatë vitit 2025 gjithsej 156 kërkesa për ndihmë juridike ndërkombëtare drejt autoriteteve gjyqësore të vendeve evropiane, të rajonit dhe disa shteteve të Amerikës Latine.
Sipas të dhënave zyrtare, këto letërporosi janë dërguar në kuadër të hetimeve për korrupsion, krim të organizuar dhe terrorizëm. Deri tani, 55 kërkesa janë ekzekutuar plotësisht, 3 pjesërisht, ndërsa 97 kërkesa janë ende në proces ekzekutimi nga autoritetet e huaja.
Shteti ku SPAK ka dërguar numrin më të madh të kërkesave është Franca me 55 letërporosi, e ndjekur nga Holanda me 12 dhe Italia me 8 kërkesa.
Kërkesa janë dërguar gjithashtu në Kosovë (7), ndërsa Belgjika, Greqia dhe Zvicra kanë marrë nga 6 kërkesa secila.
Ndërkohë, nga 5 kërkesa për ndihmë juridike janë drejtuar drejt Gjermanisë, Malit të Zi, Ekuadorit dhe Spanjës.
Po ashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Brazili kanë marrë nga 4 kërkesa, ndërsa Austria dhe Kolumbia nga 3 kërkesa.
Në listën e vendeve ku SPAK ka kërkuar bashkëpunim përfshihen edhe Sllovakia, Maqedonia e Veriut dhe Turqia me nga 2 kërkesa, si dhe Danimarka, Bullgaria, Portugalia, Serbia, Çekia, Luksemburgu, Polonia, Qipro, Republika Domenikane, Kanadaja, Peruja dhe Paraguai me nga 1 kërkesë secili.
Sipas raportit, pjesa më e madhe e këtyre letërporosive lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike në kuadër të grupeve të strukturuara kriminale, për të cilin janë dërguar 45 kërkesa. Një numër i konsiderueshëm lidhet edhe me vrasje, heqje të paligjshme të lirisë dhe armëmbajtje pa leje, për të cilat janë dërguar 39 kërkesa për ndihmë juridike ndërkombëtare.
Kërkesa të tjera lidhen me pastrimin e produkteve të veprës penale, korrupsionin nga zyrtarët publikë, terrorizmin, falsifikimin e dokumenteve, kontrabandën, trafikimin e armëve dhe të qenieve njerëzore.
Lini një Përgjigje