
Altin Dumani ka bërë një deklaratë të çuditshme sot në raportimin e tij në KLP. Gjykatat e posaçme janë kritikuar se janë shndërruar në notere të SPAK-ut, duke miratuar çdo kërkesë për masë sigurie arrest me burg, edhe në rastet kur provat dhe historiku i të akuzuarve tregojnë se mund të aplikohen fare mirë masa sigurie më të lehta, si arrest shtëpie, detyrim paraqitje, apo edhe garancia pasurore.
Dumani, pasi e konsideroi këtë thjesht një perceptim mediatik e publik, pranoi gjatë fjalës së tij se gjykatat japin vendime sipas kërkesave të SPAK.“…siç e thashë që çdo rast pafajësie është ankimuar nga prokurorët dhe afërmendsh gjykatat vendosin çfarë kërkojmë ne, qoftë edhe në lidhje me deklarimin fajtor të subjekteve që dërgojmë për rigjykim”, tha ai.
Por Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka reaguar pas deklaratës së sotme të kreut Altin Dumani. Në njoftimin e SPAK, thuhet se fjala e Dumanit është nxjerrë nga konteksti lidhur me numrin e vendimeve të fajësisë së dhënë nga GJKKO.
SPAK thekson se çdo veprim kontrollohet nga Gjykata e Posaçme sipas parashikimeve ligjore. Gjithashtu shton se Prokuroria e Posaçme njeh dhe respekton me të njëjtin seriozitet qoftë vendimet e fajësisë, qoftë ato të pafajësisë të dhëna nga gjykatat e posaçme apo Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese.
“Me shqetësim vëmë re se media ka nxjerrë nga konteksti një pjesë të fjalës së Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme gjatë raportimit vjetor ditën e sotme pranë KLP në lidhje me numrin e vendimeve të fajësisë së dhënë nga GJKKO, duke e devijuar tërësisht përgjigjen që Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dha për këtë aspekt ndaj pyetjes së anëtarit të KLP.
Në respekt të publikut dhe shtetit ligjor, sqarojmë se Prokuroria e Posaçme thekson se është një organ akuze, i cili për çdo veprim të saj procedural dhe lëndor, kontrollohet nga gjykatat e posaçme sipas parashikimeve ligjore.
Gjykatat e Posaçme marrin vendime vetëm në baze të ligjit dhe fakteve të çështjeve.
Prokuroria e Posaçme respekton maksimalisht vendimet e tyre dhe i apelon ato nëpërmjet instrumenteve që i jep ligji dhe kur prokurorët e posaçëm e konsiderojnë se kanë arsye ligjore për të ushtruar këtë kompetencë të tyre.
Prokuroria e Posaçme i njeh dhe respekton me të njëjtin seriozitet qoftë vendimet e fajësisë, qoftë ato të pafajësisë të dhëna nga gjykatat e posaçme apo Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese”, thuhet në reagimin e SPAK.
Lini një Përgjigje