
Ambasadori Grezda është caktuar për të shqyrtuar çdo kërkesë dhe për të adresuar çdo çështje që ka lidhje me Urdhrin Sovran të Shtetit Bektashi...
Nuk ka fund gallata me shtetin bektashi. Ndonëse Baba Mondi nuk dinte asgjë, e ka marrë me shumë qejf këtë punë.
Gazetari Basir Çollaku ka publikuar një letër, e cila tregon situatën në të cilën ka përfunduar Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve.
Letra u drejtohet ambasadave, duke u bërë të ditur se çdo komunikim për shtetin bektashi duhet ta zhvillojnë me ‘ambasadorin’ përgjegjës. Nuk dihet nëse letra është vërtet e dalë nga Kryegjyshata, pasi nuk ka vulë dhe firmë, por nëse është reale, duket se jemi në kushtet e absurdit.
“Kemi dëshirën t'ju informojmë që nga ky moment e në vazhdim të gjitha komunikimet dhe kërkesat në lidhje me shtetin sovran të Urdhërit Bektashi duhet t'i adresoni personit përgjegjës, specifikisht për ndonjë mision diplomatik përgjigje apo pyetje për të organizuar mbledhje apo organizime në lidhje me Shtetin Sovran të Urdhërit Bektashi duhet t'i adresoheni personit përgjegjës Nik Grezda.
Ambasadori Grezda është caktuar për të shqyrtuar çdo kërkesë dhe për të adresuar çdo çështje që ka lidhje me Urdhrin Sovran të Shtetit Bektashi. Për të siguruar një komunikim sa më efektiv ju lutemi që çdo email dhe kërkesë formale në vazhdim t'i dërgohet ambasadorit Grezda në të dhënat si më sipër
E vlerësojmë shume marrjen në konsideratë të kërkesës sonë dhe bashkëpunimin tuaj. Për çdo pyetje apo sqarim të mëtejshëm ju lutem na kontaktoni. Ju falënderojmë për mirëkuptimin”, thuhet në letër.

Ndërkohë vetë gazetari Çollaku ka ironizuar letrën në fjalë. Sipas tij, "Shteti Sovran Bektashi" i lajmëruar e pashtetuar cakton ambasadorin dhe kuvendin me ambasadat.
“Rama e shpalli, Shenjtëria e tij, baba Mondi e zyrtarizmi si institucionale dhe nisën kredenciale diplomatike të shtetit të ri në tentativë formimi nga qeveria që do të jetë fqinjë nesër me të. Në shtetin e shumë amnistive duket se puna ka nisur me vrull në pritje të logos dhe vulave përkatëse. "Selia e Shenjtë e Bektashinjve" ka dërguar njoftime për emërime ambasadorësh, duke bërë të ditur se ka përzgjedhur diplomatët përfaqësues të "shtetit të ri" disa hektarësh e pjesë jo të pakët besimtarësh”, thekson gazetari.
Kryeministri Edi Rama duket se ka trazuar gjithë opinionin publik brenda dhe jashtë vendit. Në Shqipëri gjithë mediat, emisionet dhe analistët kanë 3 ditë që merren me këtë çështje. Por lajmi ka marrë dhenë ku kanë shkruar me qindra media botërore, që nga Franca, SHBA, Britania, Italia Gjermania, deri te Greqia e Turqia. Madje në Turqi janë të shumta mediat që kanë shkruar. Mirëpo të gjithë flasin “në ajër”, pasi askush nuk di gjë. Ka një terr informativ nga qeveria dhe kjo ka lënë vend për aludime. /Pamfleti
Letra e Plotë:
KRYEGJYSHATA BOTËRORE BEKTASHIANE SELIA E SHENJTË
Adresa: “Rruga Dhimitër Kamarda” Tiranë, Shqipëri, Tel/Fax +355 684 248888, email: [email protected]
Nr. 523 Prot.
Subjekti: Komunikime Diplomatike në Lidhje me Shtetin Sovran të Urdhrit Bektashi
Tiranë, 23.09.2024
Shpresojmë që kjo mesazh t’ju gjejë mirë.
Dëshirojmë t’ju informojmë se, nga tani e tutje, të gjitha komunikimet dhe pyetjet në lidhje me Shtetin Sovran të Urdhrit Bektashi duhet të drejtohen te përfaqësuesi i përshtatshëm. Në mënyrë të veçantë, për çdo mision diplomatik, pyetje, apo kërkesë për të organizuar takime ose diskutime në lidhje me Shtetin Sovran të Urdhrit Bektashi, ju lutemi që korrespondencën tuaj ta drejtoni tek:
Nik Grezda
Ambasador i Posaçëm
[email protected]
+355-6858-28929
Ambasadori Grezda është emëruar për të trajtuar të gjitha këto pyetje dhe është më i përshtatshmi për të adresuar çdo çështje që lidhet me Shtetin Sovran të Urdhrit Bektashi. Për të siguruar një proces komunikimi të efektshëm dhe të qartë, ju lutemi që të gjitha email-et dhe kërkesat formale t’i dërgoni direkt atij duke përdorur kontaktet e mësipërme.
E vlerësojmë shumë vëmendjen tuaj ndaj kësaj kërkese dhe bashkëpunimin tuaj të vazhdueshëm. Nëse keni ndonjë pyetje ose kërkoni sqarime të mëtejshme, mos hezitoni të na kontaktoni.
Faleminderit për mirëkuptimin tuaj.
Me respekt,
Kryegjyshata Botërore Bektashiane
Tiranë, Shqipëri
Lini një Përgjigje