TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Gusht 2025, 16:07

Furtuna në institucione, nuk ka më agjenci të pavarura; nga ERE te AKEP, të gjithë në varësi të qeverisë

Shkruar nga Pamfleti

Furtuna në institucione, nuk ka më agjenci të pavarura; nga ERE

Ndryshon ligji për administratën, furtunë në organet e pavarura...

Dalin të tjera detaje nga ligji i ri i qeverisë për administratën shtetërore. Dje publikuam një pjesë të tij, ku përcaktohej se tani do të ketë institucione edhe në varësi të drejtpërdrejtë nga kryeministri, gjë që më parë nuk ishte.

Sipas përcaktimeve në relacion, ndryshimet vijnë në kuadër të shkrirjes së inspektorateve. Qeveria ka vendosur që të heqë pavarësinë për shumë agjenci, duke i shpallur si agjenci autonome apo në varësi direkte nga ministritë apo Kryeministria.

Duke u bazuar te disa rekomandime të OECD/SIGMA, Enti Rregullator i Energjisë, ai i Ujit, Komisioni i Prokurimit Publik, AKEP, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Instituti i Statistikave, Agjencia Shqiptare e Sigurimit të Depozitave, Autoriteti për Informacion mbi Dokumentet e Sigurisë Shtetërore, Instituti i Studimeve mbi Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri, etj pritet të mos jenë më institucione tërësisht të pavarura nga qeveria.

Sipas relacionit, legjislacioni aktual në fuqi parashikon tre lloje të trupave joministrore: Institucionet e Varësisë, Agjencitë Autonome, të dyja në varësi të ministrive dhe që kryejnë të njëjtat funksione të zbatimit të politikave, por me regjime të ndryshme juridike të organizimit dhe funksionimit, dhe Autoritetet apo Entet Rregullatore që janë krijuar me ligje të veçanta, dhe që i raportojnë Kuvendit dhe kryejnë gjithashtu funksione të zbatimit të politikave. Por bazuar te rekomandimet e  OECD/SIGMA, qeveria propozon ekzistencën e vetëm dy llojeve të trupave joministrore/ekzekutive, pra mbajtjen e institucioneve klasike të varësisë ku sipas këtij propozimi do të përfshihen edhe agjencitë aktuale autonome, dhe ri-konceptimi tërësor i Agjencive Autonome për të akomoduar tipologjinë aktuale të Autoriteteve Rregullatore, duke rregulluar regjimin e tyre juridik të organizimit dhe funksionimit të aftë për të garantuar një autonomi funksionale të plotë në kryerjen e funksioneve rregullatorë.  

Agjencia Autonome krijohet për të kryer funksionet administrative të zbatimit të ligjit dhe politikave që kanë të bëjnë me rregullimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së operatorëve të një tregu të caktuar me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe sigurimin e konkurrencës së lirë. Agjencia Autonome krijohet dhe mbyllet me ligj të posaçëm dhe gëzon personalitet juridik publik, në marrëdhëniet me të tretët, në realizimin e funksioneve të caktuara me ligj. Agjencia Autonome është pjesë e sistemit ministror në fushën e përgjegjësisë shtetërore të të cilit është hartimi i politikave në fushën përkatëse dhe veprimtaria e saj mbikëqyret nga ministria përkatëse”, thuhet në ligj.

Sa i takon mbikëqyrjes thuhet: “Mbikëqyrja dhe llogaridhënia bazohet mbi performancën në arritjen e rezultateve, është e përhershme dhe realizohet nëpërmjet dialogut të vazhdueshëm ndërmjet ministrisë dhe institucionit apo agjencisë që mbikëqyret.

Mbikëqyrja e institucioneve të varësisë dhe agjencive autonome është përgjegjësi e sekretarit të përgjithshëm të ministrisë dhe llogaridhënia është përgjegjësi e titullarit të institucionit të varësisë apo agjencisë autonome.

Sekretari i përgjithshëm cakton paraprakisht një strukturë administrative në aparatin e ministrisë si njësia përgjegjëse për mbikëqyrjen e çdo institucioni apo agjencie të sistemit ministror përkatës (në vijim ‘njësia përgjegjëse’), në përputhje me rregullat e organizimit të brendshëm. Njësia përgjegjëse është, si rregull, struktura e ngarkuar me hartimin e politikave që zbatohen nga institucioni i varësisë ose agjencia autonome, apo një njësi e krijuar posaçërisht për këtë qëllim. Sekretari i përgjithshëm prezumohet të jetë njësia përgjegjëse deri në caktimin e një njësie për këtë qëllim”.

Pjesë nga ligji

Neni 10

Agjencia Autonome

1. Agjencia Autonome krijohet për të kryer funksionet administrative të zbatimit të ligjit dhe politikave që kanë të bëjnë me rregullimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së operatorëve të një tregu të caktuar me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe sigurimin e konkurrencës së lirë.

2. Agjencia Autonome krijohet dhe mbyllet me ligj të posaçëm dhe gëzon personalitet juridik publik, në marrëdhëniet me të tretët, në realizimin e funksioneve të caktuara me ligj.

3. Agjencia Autonome është pjesë e sistemit ministror në fushën e përgjegjësisë shtetërore të të cilit është hartimi i politikave në fushën përkatëse dhe veprimtaria e saj mbikëqyret nga ministria përkatëse (në vijim “ministria përgjegjëse”).

4. Agjencia Autonome gëzon pavarësi të plotë funksionale në ushtrimin e kompetencave të saj rregullatore të përcaktuara me ligj.

5. Asnjë organ apo institucion nuk mund të japë udhëzime për mënyrën dhe rezultatin e ushtrimit të pushtetit rregullator, në pajtim me ligjin, nga agjencia autonome. Aktet e agjencisë autonome në ushtrimin e kompetencave rregullatore mund të rishikohen vetëm nga gjykata në pajtim me ligjin.

6. Agjencia Autonome bashkëpunon me ministrinë përgjegjëse dhe institucionet e tjera publike. Ajo ka të drejtën dhe detyrimin të kontribuojë në hartimin e politikave në fushat e lidhura me veprimtarinë e saj, nëpërmjet paraqitjes së propozimeve apo paraqitjes së vërejtjeve mbi politikat e propozuara nga ministria përgjegjëse.

7. Buxheti dhe numri total i punonjësve të Agjencisë Autonome miratohen shprehimisht veçmas në ligjin vjetor të buxhetit. Në rast të krijimit të një agjencie autonome pas miratimit të ligjit vjetor të buxhetit, buxheti dhe numri total i punonjësve përcaktohen në ligjin e krijimit të saj.

8. Ligji i krijimit të një Agjencie Autonome përmban të paktën:

a)       emrin dhe selinë;

b)      misionin;

c)       pushtetin dhe kompetencat rregullatore, si dhe instrumentet konkrete për ushtrimin e tyre;

ç) organin drejtues, dhe

d)      ministrinë përgjegjëse.”

 

Neni 7

Pas nenit 10 shtohet neni 10/1 me këtë përmbajtje:

“Neni 10/1

Krijimi, bashkimi, ndryshimet dhe shuarja e institucioneve dhe agjencive

1. Çdo nismë për krijimin, bashkimin, ndryshimin në çdo formë apo shuarjen e një institucioni varësie apo agjencie autonome fillon vetëm pas kryerjes nga ministria nismëtare, të një analize të thelluar organizativ-funksionale.

2. Analiza organizativ-funksionale, përfshin të paktën këto elementë:

a) specifikimin e funksioneve shtetërore në fjalë dhe arsyet thelbësore për propozimin e ndryshimit, si dhe arsyetimin për vazhdimin apo ndërprerjen e ndërhyrjes publike në këtë fushë (në vijim “analiza e interesit publik”);

b) analizën e performancës së formës aktuale institucionale për kryerjen e funksionit që tregon domosdoshmërinë e ndryshimit, mos efektivitetin dhe mos efikasitetin e organizimit aktual (në vijim “analiza e nevojës së ndryshimit”);

c) analizën e formave institucionale të mundshme për ushtrimin e funksioneve përkatëse, që çon në përzgjedhjen e llojit të propozuar të organizimit dhe përshkrimin e detajuar të tij (në vijim “analizave e opsioneve për kryerjen e funksioneve”).

3. Analiza e opsioneve për kryerjen e funksionit, sipas shkronjës “c”, të pikës 2, të këtij neni, përfshin të paktën këto elemente:

a) analizat e formës më të mirë institucionale për realizimin e funksionit nga tipologjitë institucionale sipas këtij ligji, informacion mbi praktikat dhe standardet ndërkombëtare në lidhje me strukturën organizative për kryerjen e funksioneve të ngjashme, si dhe arsyetimin pse forma e zgjedhur është më e mira;

b) alternativat ndaj krijimit të një institucioni apo agjencie të re, rreziqet dhe sfidat shoqëruese si dhe, në mënyre të veçante në rast të propozimit të krijimit të një institucioni apo agjencie të re, justifikimin e nevojës për zgjerim të mëtejshëm të aparatit administrativ dhe shpjegimin pse funksionet përkatëse nuk mund të kryhen në mënyrë efektive nga një strukturë e brendshme e ministrisë apo një institucion apo agjenci ekzistuese;

c) përputhshmërinë me rregullat e organizimit të parashikuara nga ky ligj dhe justifikimin e detajuar të përjashtimeve;

ç) pasojat e ndryshimit, përfshirë ato buxhetore, numrin e punonjësve, etj.

4. Këshilli i Ministrave përcakton rregullat për përmbajtjen e detajuar, formën dhe procedurën e shqyrtimit paraprak të raportit të analizës organizativ-funksionale dhe vendimmarrjen mbi vazhdimësinë e saj, si dhe procesin e hartimit e miratimit të aktit ligjor apo nënligjor përkatës. Departamenti i Administratës Publike jep mendim në çdo fazë të procedurës së shqyrtimit dhe miratimit.”

Neni 18/1

Përgjegjësitë e titullarit të institucionit të varësisë

1. Titullari i një institucioni varësie drejton dhe përfaqëson institucionin dhe në veçanti është përgjegjës për:

a) propozimin e planit dhe raportit vjetor të performancës së institucionit;

b) menaxhimin e përgjithshëm dhe organizimin e sistemit të menaxhimit dhe kontrollit financiar të institucionit;

c) çdo përgjegjësi tjetër që i caktohet shprehimisht me ligj.

2. Drejtoria është njësia përgjegjëse për vendimmarrjen në institucionin e varësisë. Drejtori i drejtorisë është, për shkak të ligjit, përgjegjës për vendimmarrjen e çdo lloji, në fushën e përgjegjësisë së drejtorisë, përveç asaj që i është caktuar shprehimisht sipas legjislacionit, titullarit të institucionit. Në rast të sektorëve të veçantë që nuk janë pjesë e një drejtorie, përgjegjësinë për vendimmarrjen e ka përgjegjësi i sektorit.

3. Përjashtimisht, titullari i institucionit mund të vendosë me shkresë të mbajë dhe ushtrojë drejtpërdrejtë një lloj vendimmarrjeje të caktuar.

4. Ligji i posaçëm apo akti i krijimit mund të përcaktojë kufizime të të drejtave të institucionit, në veçanti:

a) vlerën maksimale të kontratave dhe pagesave që mund të lidhen apo miratohen pa miratimin paraprak nga ministria përgjegjëse, apo;

b) kufizime të tjera për kalimin e fondeve ndërmjet ndarjeve buxhetore pa miratimin paraprak nga ministria përgjegjëse.”

Neni 17

Neni 20 ndryshohet si vijon:

“Neni 20

Drejtimi i Agjencisë Autonome

1. Agjencia autonome drejtohet nga një organ drejtues monokratik ose kolegjial.

2. Organi drejtues i agjencisë autonome është përgjegjës për:

a) marrjen e vendimeve me karakter rregullator në kompetencën e agjencisë autonome, dhe;

b) hartimin e planit dhe raportit vjetor të performancës së agjencisë në pajtim me nenin 23 të këtij ligji;

3. Organi drejtues i agjencisë autonome është, gjithashtu, përgjegjës për drejtimin administrativ të agjencisë. Në rastin e agjencive autonome të drejtuara nga një organ drejtues kolegjial, ai mund të vendosë t’ia delegojë drejtimin administrativ kryetarit të emëruar, një zëvendëskryetari të zgjedhur për këtë qëllim apo një nëpunësi civil të klasës drejtor i përgjithshëm apo drejtor, në përputhje me organizimin e agjencisë sipas pikës 1, të nenit 20/1 të këtij ligji.

4. Zëvendëskryetari, sipas pikës 3, të këtij neni, zgjidhet nga vetë organi kolegjial ndërmjet anëtarëve të tij. Nëpunësi civil, sipas pikës 3, të këtij neni, emërohet nga organi kolegjial në përputhje me dispozitat e ligjit për nëpunësin civil.

5. Pika 2, e nenit 18, të këtij ligji, zbatohet me ndryshimet përkatëse edhe për agjencinë autonome, me përjashtim të vendimmarrjes me natyrë rregullatore. Përjashtimisht, drejtuesi administrativ, sipas pikës 3, të këtij neni, mund të vendosë me shkresë, të mbajë dhe ushtrojë drejtpërdrejtë një lloj vendimmarrjeje të caktuar.”

Neni 18

Pas nenit 20 shtohen neni 20/1 dhe 20/2 me këtë përmbajtje:

“ Neni 20/1

Organizimi i brendshëm i agjencive autonome

1. Administrata e agjencisë autonome organizohet si drejtori apo drejtori e përgjithshme, në bazë të madhësisë dhe kompleksitetit të veprimtarisë përkatëse. Niveli i organizimit përcaktohet në ligjin e krijimit.

2. Rregullat për organizimin e brendshëm të ministrive, sipas këtij ligji, zbatohen me ndryshimet përkatëse edhe për organizimin e brendshëm të agjencive autonome, në përputhje me nivelin e organizimit, përcaktuar sipas pikës 1, të këtij neni.

3. Organi drejtues i agjencisë autonome mund të krijojë, sipas nevojës, grupe pune. Pika 5, e nenit 16, të këtij ligji zbatohet edhe në këtë rast, me ndryshimet përkatëse.”

Neni 20/2

Emërimi dhe mbarimi i parakohshëm i mandatit

1. Kryetari dhe anëtari i organit kolegjial drejtues apo drejtuesi i agjencisë autonome (të gjithë se bashku në vijim “zyrtari drejtues”) emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga detyra nga Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës. Në pajtim me ligjin e posaçëm, zyrtari drejtues mund të emërohet dhe lirohet nga detyra, nga Kuvendi kryesisht, apo me propozim të Këshillit të Ministrave.

2. Në çdo rast zyrtari drejtues që emërohet, përzgjidhet në bazë të një procedure konkurrimi të hapur e transparente, bazuar në integritetin dhe meritat profesionale të kandidatit. Kandidati duhet të plotësojë kërkesat e përgjithshme për pranimin në shërbimin civil sipas ligjit për nëpunësin civil dhe kërkesat e posaçme të parashikuara në ligjin e posaçëm që krijon agjencinë.

3. Detyra e zyrtarit drejtues është e papajtueshme me çdo detyrë tjetër në institucionin që ushtron mbikëqyrjen mbi agjencinë.

4. Zyrtari drejtues i një agjencie autonome emërohet në detyrë për një mandat 5 (pesë) vjeçar, me mundësi riemërimi një herë të vetme.

5. Zyrtari drejtues i një agjencie autonome shkarkohet nga detyra në rast se:

a) vepron në shkelje të rëndë të ligjit, në kundërshtim me parimin e  pavarësisë apo në konflikt interesi sipas legjislacionit në fuqi;

b) dënohet për kryerjen e një vepre penale me një vendim gjykate të formës së prerë;

c) agjencia nuk paraqet brenda afatit dhe pa shkaqe të justifikuara, planin vjetor të performancës apo raportin vjetor të performancës sipas nenit 23, të këtij ligji;

ç) nuk miratohet Raporti Vjetor i Performancës për 2 (dy) vjet radhazi.

6. Zyrtari drejtuesi i një agjencie autonome lirohet nga detyra nëse:

a) jep dorëheqjen;

b) kandidon për t’u zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë;

c) kandidon për t’u zgjedhur në organet e një njësie vendore;

ç) bëhet i paaftë fizikisht apo mendërisht për të përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e tij për një periudhë mbi 3 (tre) muaj;

d) mungon në detyrë pa shkak, për një periudhë mbi 1 (një) muaj;

dh) i kufizohet apo hiqet zotësia për të vepruar, me vendim të formës së prerë.

7. Përpara se të lirohet apo shkarkohet, zyrtarit drejtues të një agjencie autonome i jepet mundësia për t’u njohur me shkakun e pretenduar dhe për t’u dëgjuar nga organi kompetent për vendimin.

8. Vendimi për të liruar dhe shkarkuar zyrtarin drejtues të një agjencie autonome duhet të jetë i bazuar në ligj dhe të jetë i arsyetuar.

9. Zyrtari drejtues i një agjencie autonome i shkarkuar nga detyra, nuk ka të drejtë të rizgjidhet.

10. Paga e zyrtarit drejtues të agjencive autonome përcaktohet me ligj.”

Neni 19

Neni 22 ndryshohet si vijon:

Neni 22

Parimet dhe përgjegjësia për mbikëqyrjen dhe llogaridhënien

1. Mbikëqyrja dhe llogaridhënia bazohet mbi performancën në arritjen e rezultateve, është e përhershme dhe realizohet nëpërmjet dialogut të vazhdueshëm ndërmjet ministrisë dhe institucionit apo agjencisë që mbikëqyret.

2. Mbikëqyrja e institucioneve të varësisë dhe agjencive autonome është përgjegjësi e sekretarit të përgjithshëm të ministrisë dhe llogaridhënia është përgjegjësi e titullarit të institucionit të varësisë apo agjencisë autonome.

3. Sekretari i përgjithshëm cakton paraprakisht një strukturë administrative në aparatin e ministrisë si njësia përgjegjëse për mbikëqyrjen e çdo institucioni apo agjencie të sistemit ministror përkatës (në vijim ‘njësia përgjegjëse’), në përputhje me rregullat e organizimit të brendshëm. Njësia përgjegjëse është, si rregull, struktura e ngarkuar me hartimin e politikave që zbatohen nga institucioni i varësisë ose agjencia autonome, apo një njësi e krijuar posaçërisht për këtë qëllim. Sekretari i përgjithshëm prezumohet të jetë njësia përgjegjëse deri në caktimin e një njësie për këtë qëllim.

4. Në rastin e një institucioni varësie të Kryeministrit mbikëqyrja realizohet nga Kryeministria dhe pikat 1 deri 3, të këtij neni zbatohen me ndryshimet përkatëse.

5. Titullari i institucionit të varësisë apo organi drejtues i agjencisë autnome, krijon dhe administron një sistem të brendshëm të mbikëqyrjes së performancës, raportimit dhe llogaridhënies.

6. Këshilli i Ministrave miraton rregullat e hollësishme për sistemin e brendshëm të performancës.”

Neni 20

Neni 23 ndryshohet si vijon:

“Neni 23

Sistemi i mbikëqyrjes dhe llogaridhënies

1. Çdo institucion varësie apo agjenci autonome harton dhe propozon planin vjetor të performancës për vitin e ardhshëm, (në vijim “plani i performancës”).

2. Plani i performancës përfshin kuadrin logjik të objektivave që duhen arritur brenda vitit të ardhshëm, sistemin e vlerësimit të realizimit të tyre, burimet financiare për zbatimin e çdo objektivi, si dhe lidhjen me kuadrin strategjik dhe të politikave shtetërore në fushën përkatëse.

3. Plani i performancës diskutohet dhe miratohet me dakordësi ndërmjet institucionit apo agjencisë dhe njësisë përgjegjëse. Në rast të mungesës së dakordësisë ndërmjet institucionit të varësisë dhe njësisë përgjegjëse, plani i performancës miratohet njëanshëm nga sekretari i përgjithshëm. Në rast të mungesës së dakordësisë ndërmjet agjencisë autonome dhe njësisë përgjegjëse, plani i performancës, miratohet njëanshëm nga organi drejtues i agjencisë dhe sekretari i përgjithshëm miraton observacionet e ministrisë (në vijim “observacionet”) mbi planin e performancës. Plani dhe observacioni, në çdo rast, miratohen jo më vonë se 2 (dy) javë nga miratimi i buxhetit vjetor të vitit përkatës.

4. Çdo institucion apo agjenci harton dhe i paraqet njësisë përgjegjëse raportin vjetor të performancës (në vijim “raporti i performancës”) brenda datës 31 Mars të vitit pasardhës. Raporti i performancës përfshin informacion të detajuar për realizimin e planit të performancës.

5. Njësia përgjegjëse, bazuar në raportin e performancës, fillon një proces dialogu të strukturuar me institucionin apo agjencinë për rezultatet e performancës së vitit të kaluar. Dialogu përfshin vlerësimin nga njësia përgjegjëse të rezultateve të arritura. Dialogu mbi performancën përfundon brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga paraqitja e raportit të performancës.

6. Bazuar në rezultatet e dialogut të performancës, njësia përgjegjëse përgatit deklaratën e performancës vjetore të institucionit apo agjencisë (në vijim “deklarata e performancës”), që miratohet nga sekretari i përgjithshëm. Deklarata e performancës përfshin miratimin apo mosmiratimin e raportit të performancës, një vlerësim të performancës dhe fushat specifike, në të cilat është e nevojshme të ndryshojë performanca e institucionit.

7. Plani i performancës, observacioni, raporti i performancës dhe deklarata e performancës, publikohen në faqen zyrtare të internetit të ministrisë dhe të institucionit përkatës, jo me vone se 3 (tre) ditë nga miratimi i tyre.

8. Këshilli i Ministrave miraton rregullat e hollësishme për përmbajtjen dhe procedurën për hartimin dhe miratimin e planit të performancës, observacionit, raportit të performancës dhe deklaratës së performancës si dhe formatet e tyre.”

Lini një Përgjigje