Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën për rekurs të Fredi Belerit, që kërkon te bëjë betimin ku kryetar i Bashkisë Himarë.
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi më 5 mars që të shpallë fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri dhe e dënoi atë me 2 vjet burg. I akuzuari si bashkëpunëtor i tij, Pandeli Kokaveshi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, masë që u pezullua dhe u vendos në shërbim prove për tre vjet.
Vendimi për Belerin u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela dhe anëtare gjyqtaret Irena Gjoka e Flora Hajredinaj, pas një procesi që zgjati prej rreth 6 muajsh në gjykatë. Shpallja e vendimit u monitorua nga përfaqësues të Bashkimit Evropian, mbështetetësit e Belerit, përfaqësuesit e ambasadës greke në Tiranë si dhe gazetarë grekë.
Para se trupi gjykues të tërhiqej për vendim, Beleri paraqiti qëndrimin e tij përfundimtar, duke e cilësuar hetimin e prokurorisë dhe vendimarrjet e ndërmjetme të gjyaktës si politike, me qëllim vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në Bashkinë e Himarës. Ai u ndërpre nga kryesuesi Çela, i cili i kërkoi që të mos anatemonte trupin gjykues, por të paraqiste pretendimet e tij përfundimtare lidhur me akuzën e ngritur nga prokuroria. Beleri mbajti të njëjtin qëndrim si gjatë gjithë procesit, duke e cilësuar hetimin të stisur ndaj tij dhe të paligjshëm.
“Që nga fillimi e deri më sot kjo çështje është politike,” pretendoi Beleri, fjala e së cilit u duartokit nga mbështetësit e tij në sallë.
Beleri dhe Kokoveshi u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Vlorës në orët e para të mëngjesit të 12 majit 2023, vetëm dy ditë përpara datës kur do të votohej për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive. Sipas organit të akuzës, rezultonte se i pandehuri Beleri ka ofruar nga 50 euro për tetë vota. Po ashtu, Beleri u akuzua se i kishte dhënë paratë nëpërmjet të pandehurit tjetër, Pandeli Kokaveshi.
Beleri ishte kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” përballë kryebashkiakut socialist të Himarës, Jordgo Goro, i cili garonte për mandatin e tij të katërt. Megjithëse i arrestuar, Beleri u shpall fitues i zgjedhjeve të 14 majit për Himarën.
Lini një Përgjigje