Analisti Ben Andoni, për shqetësimin e përfaqësueses së SHBA në Shqipëri, Nensi van Horn për reformën në drejtësi, e cila i ka përsëritur disa herë qeverisë se reforma është e pakthyeshme, thotë se ka shumë çështje që zvarriten.
Duke folur për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai deklaroi se shqetësimi i diplomates amerikane vjen edhe prej komisionit Antikorrupsion të drejtuar nga Fatmir Xhafaj, ku rrezikon të preket reforma në drejtësi.
Sipas tij një nga apelet që përsëritet nga ambasada amerikane është se institucionet e mazhorancës dhe zyrtarët hezitojnë të bashkëpunojnë dhe kanë mundësinë.
Andoni shtoi se ajo që po kërkohet nga drejtësia është që të goditen emra që janë të pranishëm në politikë dhe se do kërkojë që të bëhen arrestime të mëdha shumë shpejt.
“Drejtësia ka disa problematika, një stok prej 140 mijë dosjesh që tregon se shoqëria jonë jo vetëm ka investuar dhe sakrifikuar, por po vuan dhe pasojat e një procesi të gjatë vetingu. Shqetësimi i diplomates Van Horn është real, për shkak të efikasitetit të reformës. Ka shumë çështje që zvarritën, për të përgatitur dosjet dhe çuar te GJKKO duhen shumë kohë.
Për këtë kemi rastin e zotit Berisha. Shqetësimi i diplomates kryesore amerikane, është shqetësimi lidhur me mini-reformën strukturore që Partia Socialiste ka nisur në parlament, ku duket se ka mundësi që të bëhet një lloj prekjeje e reformës në drejtësi. Institucionet e pavarura nuk i janë përgjigjur thirrjes së zotit Xhafaj dhe komisionit Antikorrupsion.
Pjesa e njerëzve që kanë kaluar vetingun nuk i janë përgjigjur ende të gjithë procesit që kërkojnë zhvillimet e vendit. Bizneset kanë shqetësime të mëdha. Pjesa e krimit ka marrë përmasa të frikshme, për të mos folur më tej për zvarritjen e reformës në drejtësi. Bëhet apel i vazhdueshëm ndaj mazhorancës dhe suport ndaj SPAK dhe GJKKO për të vazhduar reformën. SPAK nëpërmjet strukturës së saj duhet të bëjë arrestimet, ka gjithnjë e më shumë rezistencë nga mazhoranca sa i takon dokumentacioneve.
Një nga apelet që vazhdimisht “derdhet” nga ambasada e SHBA, se është përsëritur kaq shumë sa po derdhet. Institucionet e mazhorancës dhe zyrtarët hezitojnë të bashkëpunojnë.
Kanë mundësinë që ta pengojnë reformën, ndaj autoritetet amerikane po bëjnë presion të madh ndaj SPAK, që me pjesën e dokumentacionit që kanë mbledhur të veprojnë pa frikë. Edhe ata që janë në burg, po tregohet se SPAK po çlirohet nga disa komplekse. Ajo që po kërkohet, duhet që ata të godasin emra që janë të pranishëm në politikë.
Zoti Meta kishte muaj që flitej se do ishte brenda SPAK. Me këtë insistim të autoriteteve amerikane, kjo vjen edhe pse janë ditët e fundit të administratës së Biden, e cila e ka mbështetur këtë reformë.
Do kërkojë që të bëhen arrestime të mëdha shumë shpejt. Edhe pse zonja diplomate thotë se reforma është bërë. Askush nuk e di se çfarë do bëhet me administratën Trump”, tha Andoni.
Sa i takon deklaratës së përsëritur të Sali Berishës se kur të vijë në pushtet do të zhbëjë reformën në drejtësi, pasi e cilëson një reformë sorosiane për të cilën duhet të flasë më parë Komisioni i Venecias, Andoni tha se Komisioni i Venecias është strukturë këshilluese por se ka autoritet të jashtëzakonshëm.
“Kjo e bën qesharak zotin Berisha se ai është ndër ata persona që ka ngritur kartonin jeshil për këtë reformë. Votuan të 140 deputetët me presionin që iu bënë të huajt. Zoti Berisha bëhet qesharak kur thotë se do e zhbëjë, por në pikën që ka arritur reforma në drejtësi nuk mund të zhbëhet. Në masë shqiptarët duan drejtësi dhe i respektojnë vendimet e drejtësisë”, tha ai.
Lini një Përgjigje