TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Mars 2024, 09:47

Sulmet e Ramës ndaj SPAK për bazën në Sarandë, Andi Bushati: Skandal si u dha baza në atë mënyrë!

Shkruar nga Pamfleti
Sulmet e Ramës ndaj SPAK për bazën në Sarandë, Andi
Andi Bushati dhe Edi Rama

Andi Bushati ka komentuar sulmet e kryeministrit Edi Rama ndaj SPAK-ut në lidhje me Bazën e Limionit të Sarandës.

Sipas Bushatit është skandal sesi është proceduar me bazën e Limanit në Sarandë, prandaj edhe SPAK ka ndërhyrë.

"Baza e Limionit siç dëgjova Meçollarin, është një skandal për mënyrën si është dhënë, dhe atje ka hyrë SPAK-u. Është e njëjta logjik si për investimin në Sazan. Sazani është bazë ushtarake, formalisht duhet të marrë një vendim Shtabi i Përgjithshëm për ta nxjerrë nga kuadri i pronave të ushtrisë dhe ta firmosë Presidenti. Rama thotë që këto hallka nuk quhen, si ata monarkët e Gjirit Persik. Jemi në rastin tipik të një shteti nga koka te këmbët me drejtim autokratik. Komisionin hetimor për McGonigalin opozitës nuk ia dhanë. Kishte kërkuar 8, mori 2. Mori lëmoshën që ishte i gatshëm t’i lëshonte Rama. Formalisht ata thonë që do vazhdojmë t’i kërkojmë, por s’kam shpresë, revolta e opozitës u mbyll”., tha Bushati.

Gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e PS-së, kryeministri Edi Rama ka sulmuar SPAK për vënien nën sekuestro preventive të planit të investimit për portin e Limianit në Sarandë, aq shumë i kontestuar në media për mënyrën se si është lidhur marrëveshja dhe rrezikojnë burgun ministre apo ish-ministre të tij si Olta Xhaçka apo Belinda Balluku.

Rama e konsideroi si një absurd këtë vendim të drejtësisë, teksa sipas tij, të hetosh sesi u lidh një kontratë e shtetit me një sipërmarrje private, nuk të jep asnjë të drejtë ta bllokosh investimin e asaj sipërmarrjeje.


Kreu i qeverisë deklaroi se ky është një arbitraritet i hapur që mund t’i kushtonte shtetit shqiptar qimet e kokës në rast se investitorët do të ishin cinikë ta çonin në Arbitrazh. Rama përmend Gjykatën e Arbitrazhit në këtë rast po harron se nuk ka dhënë ende llogari për humbjen e qindra miliona eurove për rastin “Becchetti”.

“Absurdi arrin deri në pikën ku merret peng me sekuestro preventive, në emër të NATO-s një investim me rëndësi strategjike, 200 milionë euro, rreth, në limionin e Sarandës, i cili qysh në kohën e Zogut ka pasur plan zhvillimi për Marinë turistike dhe është pjesë e Programit tonë qeverisës, ndërkohë që prej 2 a 3 vjetësh rri i bllokuar se hetohet mënyra sesi është lidhur kontrata. Unë nuk dua të komentoj, nuk e bëj asnjëherë, arsyet e atij hetimi, kjo nuk është puna ime, ama nuk duhet një diplomë në juridik për të kuptuar se të hetosh sesi u lidh një kontratë e shtetit me një sipërmarrje private, nuk të jep asnjë të drejtë ta bllokosh investimin e asaj sipërmarrjeje, aq më tepër ta bësh këtë në emër të NATO-s dhe të sigurisë kombëtare, duke e bërë NATO-n të qeshë, kur e dëgjon këtë histori dhe duke ndërhyrë në kompetencën e një pushteti tjetër të pavarur, i cili është sovran në vendimmarrjet e veta për sigurinë kombëtare.

Ky është një arbitraritet i hapur që mund t’i kushtonte shtetit shqiptar qimet e kokës në rast se investitorët e huaj do të ishin cinikë ta çonin në Arbitrazh, por e solla këtë këtu për faktin se kjo buron nga një arbitraritet që shkon shumë përtej horizontit të një hetuesi dhe lidhet me një mendësi të vjetër dhe të gabuar për mbrojtjen e kohëve të sotme dhe për atë që duhet të bëjmë ne në funksion të mbrojtjes.” – tha Rama.

 

andi bushati spak baza e limonit sarandË rama

Lini një Përgjigje