TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Maj 2023, 18:43

Çështja “Beleri”/ Si SPAK mbylli dosjen për masakrën e Peshkëpisë dhe hapi rrugën e kandidimit për kreun e OMONIA-s

Shkruar nga Pamfleti

Çështja “Beleri”/ Si SPAK mbylli dosjen për

Në vitin 2019 Belerit ju ndalua kandidimi sepse ishte person nën hetim, por me pushimin e hetimeve nuk kishte më asnjë pengesë...

Fredi Beleri ka trazuar edhe një herë ujërat në politikën e Tiranës. Arrestimi i tij para zgjedhjeve solli reagime nga opozita shqiptare dhe qeveria greke, ndërkohë që një ngjarje e tillë mund të ishte shmangur nëse Beleri do të ishte ndëshkuar për krimet që ka kryer.

Ndaj tij ka pasur shumë akuza dhe procedime, por ngjarja më e rëndë ishte ajo e masakrës së Peshkëpisë, ku u vranë 2 ushtarë shqiptarë. Ngjarja ndodhi më 10 prill 1994 dhe pas 3 dekadave dosja u rihap. Prokuroria e Gjirokastrës e kaloi atë në SPAK kur kjo sapo u krijua, mirëpo prokuroria speciale e mbylli dosjen në heshtje. Mësohet se në vitin 2021, SPAK vulosi dosjen duke mos marrë të pandehur asnjë. Të akuzuar ishin Fredi Beleri dhe dy bashkëpunëtorë të tij, por SPAK u kap te fakti se nuk ka prova dhe veprat janë parashkruar. Por pushimi i hetimeve i mundësoi Belerit kandidimin. Në vitin 2019 atij ju ndalua kandidimi sepse ishte person në hetim, por me pushimin e hetimeve nuk kishte më asnjë pengesë.

Masakra e Peshkëpisë

Sulmi ndaj postës kufitare të Peshkëpisë, në Gjirokastër ka ndodhur në 10 prill 1994. Një komando special e organizatës terroriste greke “Mavi” (Fronti për çlirimin e Vorio-Epirit), kaloi kufirin e gjelbër Greqia dhe hyri në territorin shqiptar, duke ju drejtuar postës ushtarake të kufirit, ku dhe ekzekutoi komandantin e postës Fatmir Shehu, ushtarin Arsen Gjini dhe plagosur ushtarët e tjerë Ardian Velmishi, Janaq Zaka, Frederik Kalemi. Gjatë sulmit komandoja terroriste mori peng dhe një nga ish-nënoficerët e këtij reparti kufitar Qemal Stroka, i cili më pas u la i lirë në kufi. Gjatë rrugës ndaj Strokës është ushtruar dhunë fizike çka solli dhe tronditjen e fortë psiqike.

Gjatë largimit komandoja greke mori me vete edhe armët luftarake që ishin në depon e repartit. Pasi u ngjitën në qafën sipër repartit dhe kaluan shpatin e malit Bureto, autorët e sulmit e liruan nënoficerin shqiptar dhe e lanë atë të kthehet pas. Brenda pak minutash komandoja, me emrin e koduar “Pirro i Parë” u rikthye serish në territorin grek për të humbur në errësirën e natës. Ndërsa rekrutët e rinj të repartit të Peshkëpisë shpejtuan t’i jepnin ndihmën e parë shokut të tyre Arsen Gjini dhe komandantit Fatmir Shehu, por gjithçka ishte e kotë. Komando i frontit për çlirimin e Vorio Epirit ia kishte arritur qëllimit.

Komando greke pasi kaloi me kujdes vijën e kufirit u vendos në një kodër përballë repartit nga ku mund të mbante nën kontroll çdo lëvizje. Pasi u siguruan për numrin e rojeve dhe vendndodhjen e saktë komando u vu në lëvizje. Sulmi nisi në mesnatë, orë kur reparti i ushtrisë shqiptare me 130 rekrutë të rinj 18-20 vjeçarë kishte rënë në qetësi të plotë. Dëshmori i atdheut 20 vjeçari Arsen Gjini nga fshati Seman i Fierit, i ndjeu lëvizjet e terroristëve që vinin nga përtej kufirit, por arma tip kallashnikov që ai mbante në duar ishte pa fishekë. Paralajmërimi i ushtarit shqiptar nuk i trembi aspak të pa njohurit që e dinin shumë mirë se ai s’kishte fishekë. Arsen Gjini u bë viktima e parë e breshërive të komandos greke. Brenda pak çastesh komando greke vërshoi në godinën dykatëshe, dhe me saktësinë më të madhe bllokoi fjetinën e ushtarëve si dhe depon ku ruhej armatimi për të parandaluar çdo kundërpërgjigje. Brenda dy minutash i gjithë reparti me mbi 130 ushtarë dhe oficerë, gjendej i çarmatosur dhe i nxjerrë jashtë luftimit. Oficeri i stërvitjes kapiteni Fatmir Shehu, që natën e ngjarjes ishte oficeri më i rëndësishëm i repartit në detyrë, gjendej në katin e dytë të godinës. Sapo dëgjoi të shtënat dhe rrëmujën në godinë, u vesh nxitimthi dhe u sul drejt shkallëve me një pistoletë tip Tokarev në dorë. Tentativa e tij për të rezistuar mori përgjigje tragjike nga terroristët e komandos. Kapiteni i parë Fatmir Shehu, baba i dy fëmijëve, u qëllua me breshëri automatiku në sheshpushimin e shkallëve midis katit të dytë dhe katit të parë.

Skuadra e identifikuar me emrin e koduar “Pirro 1”, iu afrua kufirit shqiptar dy ditë përpara sulmit. Grupi që mori përsipër goditjen përbëhej nga 7 persona, të veshur me uniforma ushtarake kamoflazhi dhe të pajisur me armatim këmbësorie të prodhimit perëndimor, i njëjtë me atë që përdorte ushtria greke.

Do të duheshin 4 vite që të dilnin në dritë emrat e autorëve të masakrës. Autoritetet greke kishin ndaluar më 18 mars të vitit 1995, 7 të dyshuar si autorë të masakrës së Peshkëpisë. Ata sapo kishin dështuar në një tjetër sulm terrorist ndaj kufirit shqiptar. Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj të ndaluarve, u gjetën edhe armët e municionet e rrëmbyera në Postën Kufitare të Peshkëpisë.

Çështja “Beleri”/ Si SPAK mbylli dosjen për

Të ndaluarit e komandës së ashtuquajtur “Pirro i Parë”, ishin:

Jorgos Anastasulis, 34 vjeç, shtetas grek, oficer, Apostolos Karvelas, 26 vjeç, shtetas grek (ish-polic rrugor), Marios Kutula, 25 vjeç, qytetar shqiptar, Fredi Beleri, qytetar shqiptar, 23 vjeç, (i cili përdor disa emra si Dionisios dhe Foti), Jorgo Kristo, 26 vjeç, Jorgo Papa, 30 vjeç, të gjithë këta janë nga Himara, Harallamb Papa, 21 vjeç, nga Krioneri i Gjirokastrës.

Edhe pse armët e gjetura ishin ato të vjedhura në Peshkëpi, Gjykata në Athinë vendosi se këto nuk ishin prova të mjaftueshme dhe të gjithë u liruan. Por të njëtën gjë ka bërë dhe SPAK, duke bërë që Fredi Beleri të tregojë hapur planin e tij për helenizmin e Himarës./Pamfleti

beleri peshkepia

Lini një Përgjigje