Si në asnjë prej raporteve vjetorë më parë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e radhit presionin politiko-mediatik mes 10 shqetësimeve serioze për të cilat kërkon zgjidhje në dokumentin e dorëzuar në Kuvend.
Kreu i SPAK, Altin Dumani pritet të raportojë sot, në orën 11:00, për punën e vitit 2024 në KLP. Dumani mbërriti i shoqëruar nga prokurorët Adnand Xholi dhe Klodian Braho dhe shefa sektorësh.
Siç shihet edhe nga pamjet, në KLP kanë mbërritur edhe përfaqësues të ambasadës amerikane.
Krahas raportit vjetor, i cili është dorëzuar në Kuvend, dhe të dhënat janë bërë me dije, me interes priten përgjigjet e kreut të SPAK, mbi pyetjet e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
SPAK në raportin vjetor për vitin 2024 që u pubikua me 4 Prill, zbuloi listën e pasurive të konfiskuara.
Pasuritë e konfiskuara janë: 17 pasuri të paluajtshme, vlera monetare të konfiskuara në Lekë, Euro dhe Dollar, 395.000 Lekë, 38.000 Euro, pasuri te luajtshme të konfiskuara, 2 pasuri të luajtshme, subjekte tregtare të konfiskuara. Po ashtu, 7 subjekte tregtare, nga të cilët 6 subjekte tregtare të sekuestruara plotësisht dhe ku përkatëse të personave të pandehur për 1 subjekt tregtar.
Sipas raportit të SPAK, gjatë vitit 2024 kishte arritje edhe ndaj krimit të organizuar. Në raport, SPAK rendit edhe disa problematika që duhen adresuar, ku shqetësim kryesor thuhet se është presioni nga krimi dhe politika.
“Lufta kundër krimit të organizuar edhe për këtë vit, krahasuar me vitin paraardhës, ka shënuar arritje të rëndësishme prej rreth 18,8% të regjistrimeve të këtyre procedimeve penale. Po kështu, është rritur edhe numri i personave të cilët janë nën hetim për këto procedime me rreth 21,6%, krahasuar me vitin 2023. Nga ana tjetër, ka një rënie me rreth 7,3% të çështjeve të dërguara për gjykim për shkak të volumit dhe kompleksitetit të tyre.", thuhej në raport.
Si në asnjë prej raporteve vjetorë më parë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e radhit presionin politiko-mediatik mes 10 shqetësimeve serioze për të cilat kërkon zgjidhje në dokumentin e dorëzuar në Kuvend.
“Presioni i jashtëm ndaj SPAK nga krimi i organizuar, aktorët politikë dhe medatik, i cili cënon pavarësinë kushtetuese dhe efektivitetin në hetime. Ndërhyrjet e jashtme, rrezikojnë gjithashtu integritetin e prokurorëve dhe të procesit hetimor. Për të garantuar pavarësinë e SPAK-ut, si dhe mbështetje për prokurorët në çështje të ndjeshme, nevojitet një reagim më i koordinuar dhe në kohë i të gjitha institucioneve, të cilat kanë përgjegjësinë e mbrojtjes së integritetit të SPAK.”, thotë SPAK.
Në raport SPAK thekson se përgjatë 2024-ës vuri nën hetim 33 ish-zyrtarë të lartë. Ndër të tjera, SPAK bën me dije se janë identifikuar 16 organizata kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ku prej tyre janë shkatërruar rreth 10.
“Për sa i përket luftës kundër korrupsionit, Prokuroria e Posaçme ka ndjekur një qasje aktive duke hetuar një numër të konsiderueshëm zyrtarësh të lartë. Gjatë vitit 2024, rezultojnë të jenë nën hetim 33-ish-zyrtarë të lartë, nga të cilët 19 janë dërguar në gjykatë. Sipas vlerësimit të brendshëm të SPAK, janë identifikuar rreth 16 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të cilat janë të mbështetur në lidhje familjare dhe miqësore dhe janë të përfshirë edhe në tregjet ndërkombëtare kriminale, kryesisht në trafikun e kokainës. Këto grupe janë aktive në qarqet e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Kukësit, Lezhës, Elbasanit dhe Vlorës. SPAK ka arritur të provojë me sukses 10 prej këtyre grupeve kriminale me aktivitete kriminale në disa qytete të vendit si Tiranë (3); Durrës (2); Elbasan (2); Shkodër (1), Lezhë (1) dhe Kukës (1).
Nga veçoritë dalluese të këtyre grupeve kriminale është struktura e tyre hierarkike, ndarja e roleve, përfshirja në anëtarësinë e tyre të përfaqësuesve të gjyqësorit, prokurorisë, policisë së shtetit, medias dhe botës akademike. Disa tipare të tjera të veçorive të këtyre grupeve janë përdorimi i komunikimeve të koduara si SKY ECC dhe pastrimi i parave nëpërmjet kriptovalutave”, thuhet në raport.
Në raportin 109 faqësh, SPAK risjell edhe shqetësimin e prokurorëve se çfarë do të ndodhë me ta pasi tu përfundojë mandati 5-vjeçar në këtë institucion, kur vetë ata i kanë kërkuar Kuvendit mundësinë që të rikandidojnë.
Lini një Përgjigje