
Ish-prokurori Ervin Karanxha zbuloi rastin e ekstradimit të një shtetasi shqiptar nga Dubai, edhe pse shteti ynë nuk ka marrëveshje ekstradimi me Dubain.
Karanxha tha se mes Shqipërisë dhe Dubait nuk ekziston një marrëveshje e mirëfilltë ekstradimi, edhe pse Kodi i Procedurës Penale parashikon procedurat që ndiqen në raport me autoritetet e huaja.
“Midis Shqipërisë dhe Dubait nuk ka një marrëveshje të mirëfilltë ekstradimi. Në kodin e procedurës penale është përcaktuar në mënyrë të qartë se çfarë veprimesh proceduriale bëhen me autoritetet e huaja. Por, duhet të kemi një marrëveshje. Nuk kemi një marrëveshje të mirëfilltë”, u shpreh ai.
Sipas tij, mes dy vendeve ka pasur diskutime, por jo një traktat të strukturuar si ai që Shqipëria ka me shtete të tjera, si Italia. Ai theksoi se në disa raste kthimet janë realizuar jo në bazë të një marrëveshjeje ekstradimi, por duke u mbështetur në legjislacionin për të huajt.
“Konstatohet që në disa raste ka kthime. Nuk është në kuadër të një marrëveshje të mirëfilltë ekstradimi, siç kemi me Italinë, por këtu kemi si të thuash atë ligjin për të huajt. Një nga personat që jam në dijeni unë ka bërë një konflikt atje dhe e kanë kthyer”, tha Karanxha për "A2 CNN".
Ai përmendi gjithashtu mundësinë e lobimeve për persona të caktuar, duke lënë të kuptohet se në disa raste mund të ketë ndërhyrje për të lehtësuar kthimin e individëve në Shqipëri.
“Nga ana tjetër ka dhe lobime që mund të bëhen për persona të caktuar. Stimulohen konflikte, nxiten ose edhe vetë shteti për persona të caktuar mund të bëjë lobime që t’i sjellin persona të caktuar”, deklaroi ish-prokurori.
Deklaratat e tij hedhin dritë mbi mekanizmat përmes të cilëve realizohen disa kthime nga Dubai, në mungesë të një marrëveshjeje formale ekstradimi mes dy vendeve.
Lini një Përgjigje