TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Tetor 2024, 15:13

Drejtësia e gjitha në bllok kundër Xhafajt: Dumani, Çela, Metani, Zaçaj dhe Sadushi refuzojnë të bëhen pjesë e pazarit

Shkruar nga Pamfleti

Drejtësia e gjitha në bllok kundër Xhafajt: Dumani, Çela,

Drejtësia refuzon në bllok të dërgojë ekspertë në komisionin “Xhafaj”…

Organet e drejtësisë kanë dalë të gjitha kundër komisionit të famshëm “Xhafaj”. Ky i fundit tentoi të bëjë pjesë të lojës organet e reja të drejtësisë, por mësohet se i kanë dalë të gjitha kundër, pasi kanë refuzuar në bllok që të dërgojnë ekspertë në komision.

Fillimisht ishte SPAK që njoftoi komisionin se nuk do të bëhen pjesë, pasi ata i kanë deklaruar kërkesat e tyre dhe mund të jenë pjesë e një procesi ligjbërës.

"Gjatë kësaj mbledhjeje, Prokurorët e Posaçëm diskutuan rëndësinë e bashkëpunimit me Kuvendin për përmirësimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjithmonë duke respektuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. 

Në mënyrë unanime të gjithë Prokurorët e Posaçëm nuk e konsideruan të nevojshme pjesëmarrjen me ekspert në këtë Komision, pasi vlerësuan se tashmë institucioni ynë i ka përmbushur detyrimet ligjore për bërjen publike të problematikave të hasura gjatë ushtrimit të funksioneve të tij duke përfshirë këtu dhe nevojat për ndryshime ligjore përkatëse. Ky detyrim ligjor është realizuar përmes publikimit të Raporteve Vjetore të SPAK në faqen zyrtare, si dhe raportimeve periodike përballë KLP-së dhe Kuvendit. Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme, cilësoi se është e gatshme për të ofruar kontributin e saj përmes dhënies së mendimeve ligjore sa herë që do të konsiderohet e nevojshme nga ky Komision", njofton SPAK.

Në të njëjtën linjë ka qenë dhe Prokuroi i Përgjithshëm, Olsian Çela. Mësohet se ky i fundit fillimisht kishte projektuar të dërgonte pranë komisionit si ekspertë të lartë, dy prokurorët Kosta Beluri dhe Arqile Koça, por më pas mësohet të jetë tërhequr duke mbajtur qëndrim refuzues.

Po ashtu edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Gjykata Kushtetuese kanë mbajtur qëndrim të njëjtë. Mësohet se të dyja institucionet i janë drejtuar komisionit, ku e informojnë se nuk do të dërgojnë ekspertë.

Së fundmi ka reaguar edhe Gjykata e Lartë, e cila ka mbajtur të njëjtën linjë. Ky organ refuzon të bëhet pjesë e planit për të kapur reformën, teksa njofton se janë gati të japin opinione mbështetëse, por kërkesa për të qenë pjesë nuk përshtatet me funksionin e tyre.

"Duke mbajtur parasysh këtë funksion të Gjykatës së Lartë në raport me pushtetet e tjera, vlerësojmë se kërkesa Juaj për pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të gjyqtarëve të kësaj Gjykate si anëtarë të një nëngrupi teknik, në varësi të Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë të Komisionit të Posaçëm, që duhet të kryejnë detyrat e caktuara sipas vendimmarrjes së Komisionit, nuk përshtatet me funksionin dhe misionin e gjyqtarit. Si e tillë, nga ana jonë nuk vlerësohet si zgjidhje e përshtatshme në përmbushje të misionit të Komisionit të Posaçëm. Sigurisht, Gjykata e Lartë mirëpret mundësinë për të dhënë opinione për projektligjet që lidhen drejtpërdrejtë me funksionin e saj. Me kënaqësi konstatojmë se praktika e viteve të fundit ka treguar se propozimet për disa ndryshime në ligjet procedurale civile, penale dhe administrative, me qëllim rritjen e eficensës së gjykimit dhe parandalimin e krijimit të stokut të ri, të miratuara nga Kuvendi me kontributin edhe të gjyqtarëve dhe këshilltarëve ligjorë të Gjykatës së Lartë (në mënyrë të pavarur dhe pa qenë pjesë e komisioneve apo nënkomisioneve të ngritura për këtë qëllim pranë Kuvendit), ka ndikuar pozitivisht në drejtim të shpejtësisë dhe cilësisë së gjykimit të rekurseve", shprehet Gjykata e Lartë. /Pamfleti

Lini një Përgjigje