TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Maj 2026, 17:30

Dr. Neki Dredha, njeriu që i dha Vlorës mjekun, intelektualin dhe qytetarin model!

Shkruar nga Pamfleti
Dr. Neki Dredha, njeriu që i dha Vlorës mjekun, intelektualin dhe
Dr. Neki Dredha

Dr. Neki Dredha u përcoll për në banesën e fundit mes dhimbjes dhe respektit të qytetarëve, miqve dhe familjarëve.

Sot ju dha lamtumira një prej figurave më të respektuara të Vlorës, por jo vetëm, Doktor Neki Dredhës, një emër që për dekada me radhë u lidh ngushtë me humanizmin, shërbimin ndaj qytetarëve dhe jetën publike të qytetit.

Mjeku, ish-kryebashkiaku, intelektuali dhe krijuesi i njohur u përcoll për në banesën e fundit mes dhimbjes së familjarëve, miqve, kolegëve dhe shumë qytetarëve që e njohën dhe e vlerësuan përgjatë jetës së tij. Ceremonia mortore u zhvillua këtë të enjte në Tiranë, ndërsa mesazhet e ngushëllimit dhe vlerësimit për figurën e tij vijojnë të jenë të shumta.

Për ata që e njohën nga afër, Dr. Neki Dredha nuk ishte thjesht një mjek apo drejtues institucional. Ai ishte një njeri i fjalës së urtë, i komunikimit njerëzor dhe i një karakteri të fortë, që gjatë gjithë jetës ruajti ndershmërinë dhe dinjitetin.

Në Vlorë ai njihej si mjeku që i qëndronte pranë njerëzve në çdo kohë, por edhe si një intelektual me kulturë të gjerë dhe dashuri të veçantë për historinë, traditat dhe identitetin shqiptar. Miqtë e tij e përshkruanin si një bashkëbisedues të rrallë, me kujtesë të admirueshme dhe njohuri të thella për letërsinë, historinë dhe kulturën shqiptare.

Dr. Neki Dredha, njeriu që i dha Vlorës mjekun, intelektualin dhe

Një pjesë e rëndësishme e jetës së tij lidhej edhe me letërsinë. Përmes krijimeve poetike dhe publicistike, Dr. Dredha solli dashurinë për Labërinë, për vendlindjen dhe njerëzit e saj. Në veprat e tij gërshetoheshin ndjeshmëria njerëzore, përvoja jetësore dhe një gjuhë e pasur artistike që e bënte të veçantë në krijimtarinë e tij.

Ata që kanë shkruar dhe folur për të, e kanë cilësuar si një njeri me shpirt fisnik, humanist dhe me një botë të pasur kulturore. Një figurë që nuk kërkoi kurrë protagonizëm, por që fitoi respektin e njerëzve përmes punës, sjelljes dhe kontributit të tij.

Dr. Neki Dredha, njeriu që i dha Vlorës mjekun, intelektualin dhe

Kontributi i Dr. Neki Dredhës nuk mbeti vetëm në mjekësi. Ai shërbeu edhe në jetën publike si Kryetar i Bashkisë së Vlorës, ndërsa në vitin 2013 u nderua me titullin “Qytetar Nderi i Vlorës”, një vlerësim që pasqyronte respektin e madh që qyteti kishte për të.

Sot, pas largimit të tij nga jeta, Vlora humbet një nga njerëzit që i dha më shumë qytetit me përkushtim, kulturë dhe humanizëm. Por emri dhe vepra e Dr. Neki Dredhës do të mbeten gjatë në kujtesën e atyre që e njohën si njeriun që jetoi mes njerëzve dhe për njerëzit.

 

neki dredha vlore

2 Komente

  1. L
    Luke

    U preft në paqe i qoftë dheu lehtë ati buri uman i qet dhe i mënçëm .ngushëllime familjes

    1. G
      Grigor Dedi

      Dr.Nekiu ishte një mjek i shquar profesionalisht,fisnik,koleg shumë i mirë,njeri i fjalës së dhënë,aset i shoqërisë dhe mjekësisë shqiptare.Ngushëllime të përzemërta familjes.

      Lini një Përgjigje