TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Janar 2024, 13:58

“Dosjet sekrete vijnë të mbyllura”, zbardhen dëshmitë për çështjen “Beleri” në GJKKO

Shkruar nga Pamfleti

“Dosjet sekrete vijnë të mbyllura”, zbardhen

Ditën e sotme, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, është mbajtur procesi në ngarkim të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit.

Gjatë seancës së sotme janë pyetur Kancelari i Prokurorisë së Vlorës, Përparim Hoxha dhe Kancelarja e Gjykatës së Vlorës, Frida Gani.

Hoxha deklaroi se si Kancelar nuk ka përpiluar asnjë shkresë apo dokument për SPAK apo GJKKO për çështjen “Beleri”.

“Unë nuk kam akses as tek protokolli as tek regjistrat e çështjeve. Këtë funksion e kryen kryesekratarja e cila herë pas here ndihmohet edhe nga persona të tjerë, për shkak të volumit të punës. Nuk ka në Prokurorinë e Vlorës, një punonjës specifik për protokollin. Si Kancelar nuk kam përpiluar asnjë shkresë apo dokument për SPAK dhe GJKKO, për çështjen Beleri. Prokurorët e gatshëm përcaktohen nga drejtuesi i Prokurorisë, çdo muaj. Në rast të zgjedhjeve ka më shumë prokuror të gatshëm, për shkak të ngjarjeve”, tha Hoxha.

Ndërsa Frida Gani është shprehur se dosjet sekrete nga Prokuroria shkojnë të mbyllura me zarf, shënohen në regjistër dhe më pas i dërgohet si zarf i pahapur gjyqtarit që është i gatshëm.

“Kancelari nuk merret me regjistrat ose protokollet, me këto merret kryesekretaria. Dosjet sekrete nga Prokuroria vijnë të mbyllura me zarf, shënohet në regjistër dhe më pas i dërgohet zarf i pahapur gjyqtarit që është i gatshëm. Për veprime të ngutshme, nuk e di nëse administrata ka dalë jashtë orarit zyrtar 08:00-16:00”, u shpreh Gani.

Seanca u zhvillua sot pasi Gjykata e Posaçme e Apelit e shtyu dje seancën e shqyrtimit të kërkesës për leje të posaçme të Fredi Belerit për t’u betuar si kryebashkiak.

Në seancën e djeshme avokatët e Belerit kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares së vetme Daniela Shirka, me arsyetimin se trupa duhet të ishte me tre anëtare dhe jo me një.

Përmes avokatëve, por edhe personalisht Beleri ka kërkuar ndryshimin e vendimit të shkallës së parë, që i refuzoi kërkesën për leje të posaçme nga burgu.

fredi beleri seanca në gjkko dëshmitarët

Lini një Përgjigje