TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Prill 2025, 10:52

Dosja "Metamorfoza", biznesmeni Pëllumb Gjoka tërhiqet nga gjykimi i shkurtuar

Shkruar nga Pamfleti
Dosja "Metamorfoza", biznesmeni Pëllumb Gjoka tërhiqet nga
Pëllumb Gjoka

Biznesmeni Pëllumb Gjoka, i pandehur në dosjen "Metamorfoza", ka vendosur të tërhiqet nga gjykimi i shkurtuar.

Përmes avokatit të tij, Gurali Brahimllari, Gjoka tha se çështja nuk mund të zgjidhet në gjendjen që janë aktet dhe se veçimi e dëmton çështjen.

"Patëm pritshmëri nga Gjykata Kushtetuese për të deklaruar të pavlefshme provat e marra nga komunikimet në SKY ECC, por nga Kushtetuesja kemi një vendim "as mish, as peshk".

Nga kërkesa për gjykim të shkurtuar e kërkoi edhe i pandehuri Edmond Preka, ndërsa të pandehurit e tjerë, përfshi ish-prokurori Xhevahir Lita dhe ish-oficerët e policisë, Oltion Bistri dhe Ardit Hasanbega, kërkuan gjykim të shkurtuar.

Arrestimi dhe hetimi për Pëllumb Gjokën

SPAK më 4 maj 2024 njoftoi përfundimin e hetimeve ndaj biznesmenit Pëllumb Gjoka, i akuzuar për vrasje dhe grup të strukturuar, si dhe të bashkëpunëtorëve të tij, mes tyre një prokuror dhe dy funksionarë policie. SPAK ka dërguar për gjykim çështjen ndaj shtatë të pandehurve, duke bashkëngjitur edhe të dhënat për pasuritë e sekuestruara, të dyshuara si produkt i veprës penale.

Pëllumb Gjoka, 50-vjeç, u arrestua në korrik 2023 si anëtar i dyshuar i një organizate kriminale që kishte kryer ndër të tjera vrasje dhe pengmarrje. Ai është pronar i kompanisë “Imperial Group”, me aktivitet në fushën e investimeve në turizëm dhe në lojërat e fatit krahas bizneseve të tjera.

Në vitin 2021, qeveria shqiptare i dha kësaj kompanie statusin e investitorit strategjik për projektin Silver Sand Resort, një projekt masiv që duhet të shtrihet në një sipërfaqe prej 113 mijë metra katrorë për ndërtimin e pallateve, vilave dhe hoteleve. Sipas dokumenteve të publikuara, vlera e planifikuar e investimit ishte 52 milionë euro, nga të cilat, një pjesë do të financohej nga shitja gjatë ndërtimit të apartamenteve dhe vilave.

Hetimi ndaj Gjokës filloi pas mbërritjes së një dosjeje nga Franca. Ndaj tij dhe anëtarëve të tjerë të grupit ka nëntë lloj akuzash për vepra penale, mes të cilave vrasje, korrupsion aktiv e pastrim parash, të kryera në kuadër të grupit të struktuar kriminal. Ndërsa zyrtarët e arrestuar si pjesë e organizatës akuzohen për korrupsion, zbulim të akteve apo të dhënave sekrete, si dhe për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje.

Veç Gjokës, për gjykim janë dërguar edhe të pandehurit Behar Brajoviq; Edmond Preka; Astmer Bilali; dy zyrtarët e policies, Ardit Hasanbegaj dhe Oltian Bistri, ky i fundit me funksion si shef i Drejtorisë së Forcës Operacionale; si dhe prokurori Xhevahir Lita.

Prokuroria thotë së i ka bashkëngjitur akteve të dërguara për gjykim edhe të dhënat e pasurive të sekuestruara në cilësinë e produktit të veprës penale. SPAK ka sekuestruar 390 mijë m2 pyll e ndodhur në Pulaj-Plazh të Velipojës në Shkodër dhe pesë pasuri të paluajtshme të blera për vlerën 980 mijë euro.

Prokuroria e Posaçme njofton se është ndarë çështja për për personat e tjerë nën hetim për të cilët nuk janë ekzekutuar ende masat e sigurimit të miratuara nga gjykata, si dhe për persona të tjerë të përfshirë në këto aktivitete kriminale.

pëllumb gjoka spak pëllumb gjoka tërhiqet nga gjykimi i shkurtuar

Lini një Përgjigje