TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Tetor 2023, 10:27

Dosja e grupit të Laert Haxhiut në duart e SPAK, Prokuroria e Elbasanit zbardh arsyen e vendimit

Shkruar nga Pamfleti

Dosja e grupit të Laert Haxhiut në duart e SPAK, Prokuroria e

Prokuroria e Elbasanit ka shpallur moskompetencë për dosjen e grupit të Laert Haxhisë, duke ia kaluar kështu Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Sipas Prokurorisë Elbasan, grupi i Laert Haxhiut dyshohen se janë autorë të ekzekutimit të Alban Semakut në Peqin, si edhe autorë të disa ngjarjeve të rënda kriminale, përfshirë vrasje, shkatërrim prone me eksploziv, vjedhje me dhunë, sigurim kushtesh dhe mjetesh për të kryer vrasje të ndodhura në periudhën kohore 2021-2023 në disa qytete të ndryshme te vendit si Elbasan, Tiranë, Lushnje, Tepelenë, Korçë dhe Durrës.

Organi hetues argumenton se për këto ngjarje ka procedime të regjistruara nga prokuroritë përkatëse të juriksionit të përgjithshëm, të cilat kanë kaluar për kompetence të Prokurorisë së Elbasanit dhe janë bashkuar në një procedim të vetëm.

Duke vlerësuar se në rastin konkret janë konsumuar elementet e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, kemi çmuar të ri-vlerësohet çështja e kompetencës lëndore për këtë procedim penal”, njofton Prokuroria.

Ndërsa shtoi se më datë 18 tetor është vendosur deklarimi i moskompetencës dhe kalimi i akteve për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Posaçme Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) Tiranë.

Njoftimi i Prokurorisë Elbasan:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, mbi bazën e materialit hetimor të ardhur nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, ka regjistruar procedimin penal nr.1599, të vitit 2021, që bën fjalë për veprat penale të parashikuara nga nenet 78 e 25, dhe 278 të Kodit Penal.

Si rezultat i hetimit në kuadër të këtij procedimi, ka dyshime të arsyeshme se personat nën hetim, janë autorë të vrasjes së shtetasit A. S., ngjarje e ndodhur në datë 17.10.2021 në Peqin.

Gjithashtu, nga hetimet e kryera me metoda speciale të hetimit, dyshohet se keta shtetas në bashkëpunim me shtetas të tjerë janë autorë të disa ngjarjeve të rënda kriminale (vrasje, shkatërrim prone me eksploziv, vjedhje me dhunë, sigurim kushtesh dhe mjetesh për të kryer vrasje, etj.) të ndodhura në periudhën kohore 2021-2023 në disa qytete të ndryshme te vendit si Elbasan, Tiranë, Lushnje, Tepelenë, Korçë dhe Durrës, për të cilat ka procedime të regjistruara nga prokuroritë përkatëse të juriksionit të përgjithshëm, procedime që kanë kaluar për kompetence lëndore Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juriksionit të Pergjithshëm Elbasan dhe janë bashkuar në një procedim të vetëm me Nr.1559 të vitit 2021 për veprat penale të parashikuara nga nenet 78 e 25, 78/a e 25, 78 e 22 e 25, 152 e 25, 80 e 25, 139 e 25 dhe 278 të Kodit Penal.

Duke vlerësuar se në rastin konkret janë konsumuar elementet e veprës penale të parashikuar nga neni 333/a i K.Penal “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334 të Kodit Penal, kemi çmuar të ri-vlerësohet çështja e kompetencës lëndore për këtë procedim penal.

Më datë 18.10.2023 është vendosur deklarimi i moskompetencës lëndore për hetimin e procedimit penal nr.1559 të vitit 2021 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.

Kalimin e akteve për hetime të mëtejshme prokurorisë kompetente dhe konkretisht Prokurorisë së Posaçme Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) Tiranë.

laert haxhiu

Lini një Përgjigje