TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Shkurt 2024, 08:03

Çdo gjë gati për protestën e opozitës; forcat e policisë në gatishmëri, bulevardi mbushet me kamera

Shkruar nga Pamfleti

Çdo gjë gati për protestën e opozitës; forcat e

Pasditen e sotme do të mbahet protesta e opozitës.

Tubimi pritet të nisë në orën 17.30, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", mes Kryeministrisë dhe selisë së Kuvendit.

Partia Demokratike ka nisur përgatitjet prej më shumë se një jave, ndërkohë që ditët e fundit deputetë e zyrtarë të kësaj force politike kanë zbritur në terren për të zhvilluar takime me bazën dhe qytetarët.

Në të gjitha deklaratat e tyre ata e kanë vënë theksin më të madh tek pjesëmarrja në këtë protestë, ndaj dhe vazhdimisht kanë bërë thirrje që të gjithë qytetarët t’i bashkohen.

Kjo është protesta e parë e këtyre përmasave që opozita po zhvillon prej disa kohësh, por është e para ku ish-kryeministri Sali Berisha nuk do të jetë i pranishëm fizikisht për shkak të masës së “arrestit shtëpiak”.

Megjithatë mbështetësit e tij e kanë paralajmëruar edhe pjesëmarrjen e Berishës, përmes teknologjisë.

Edhe qeveria ka marrë të gjitha masat për sigurimin e protestës, nëpërmjet angazhimit të forcave të policisë.

Mësohet se mbi 1100 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat dhe Garda e Republikës, do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës.
Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA. Do të ketë edhe autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh.

Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës.

Dyert e kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike. Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” kamera me rezolucion të lartë.

Segmentet rrugore që janë të bllokuara 2 orë para nisjes së protestës deri në përfundim të saj janë:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

protesta 20 shkurt sali berisha

Lini një Përgjigje