
Divorcohen zyrtarisht Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi...
Pas shumë vitesh martesë, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë divorcuar zyrtarisht. Vendimi u mor sot (11 prill) nga Gjykata Civile.
Në seancën në Gjykatën Civile të Tiranës ishte i pranishëm është edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në burg që prej tetorit 2024, në kuadër të hetimeve të SPAK.
Meta është shoqëruar nga qelia në burgun 313 drejt Gjykatës Civile me forcat e Policisë së Burgjeve. Ndërkohë, Monika Kryemadhi nuk është paraqitur në seancë, por përfaqësohet nga avokati i saj mbrojtës, Redi Llanaj.
"Nisur nga interesi i medias, ju bëj me dije si më poshtë: Sot në datën 11.04.2025, ora 10:30, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Civile, u zhvillua seanca e pajtimit si dhe seanca gjyqësore me objekt zgjidhje martese me paditës I.M dhe të paditur M.K, ku të pranishëm ishin paditësi dhe avokati i tij. Pala e paditur, e njoftuar nga gjykata me fletëthirje, nuk u paraqit në seancë, pa asnjë shkak ligjor, duke e lënë gjykimin në mungesë. Në përfundim të seancës, gjykata vendosi : Zgjidhjen e marteses midis paditesit I.M dhe te paditures M.K", njoftoi Gjykata e Tiranës.
Ndërkohë, ka reaguar edhe avokati i Ilir Metës i cili tha se gjykata ka vendosur për zgjidhjen e martesës mes Metës dhe Kryemadhit.
“Kjo është thjesht me një objekt, për zgjidhjen e martesës. Dhe gjykata pasi ne parashtruam shkaqet e zgjidhjes së martesës, administroi edhe aktet shkresore dhe mori vendimin për zgjidhjen e martesës mes paditësit Ilir Meta dhe të paditurës Monika Kryemadhi”, tha avokati i Ilir Metës, Genc Gjokutaj.
Ndarja e tyre tanimë është e konfirmuar edhe në formë ligjore, pas afro 10 muajsh nga deklarata publike e ish-Presidentit të Republikës, i cili ishte sot i pranishëm në sallën e gjyqit.
“Zonja Kryemadhi është ish-bashkëshortja ime. Dhe sot kam ndjekur edhe rrugën juridike për këtë çështje dhe kam njoftuar edhe djalin tim Besar Ilir Meta, i cili më ka thënë pak kohë më parë që kur kemi kaq shumë tensione dhe probleme me njërin-tjetrin mund të gjeni ndonjë zgjidhje me të qetë dhe unë besoj se e kam gjetur një zgjidhje”, deklaroi ai asokohe.
Hapin drejt ndarjes e mori pikërisht Meta, teksa Kryemadhi është shprehur se këtë vendim të tij e ka marrë vesh nga një gazetar. Të paktën me çfarë kanë thënë deri tani, shkak për prishjen e martesës së gjatë është bërë djegia e mandateve të deputetëve të LSI-së në atë kohë, në vitin 2019.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë celebruar më 29 Tetor 1998. Atë ditë ata iu betuan njëri-tjetrit pas 5 vitesh lidhje e vetëm 4 muaj që ishin bërë prindër. Sot kanë 3 fëmijë, Bora, Besar, dhe Era Metaj.
Përfundimi i martesës së tyre vjen në kushtet e izolimit për Metën, i cili është arrestuar që prej Tetorit 2024.
Lini një Përgjigje