TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Janar 2024, 14:20

Dëbora mbulon veriun dhe juglindjen, trashësia arrin deri në 50 cm; bashkia e Fushë-Arrëzit shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Shkruar nga Pamfleti

Dëbora mbulon veriun dhe juglindjen, trashësia arrin deri në 50

Moti i keq me reshje dëbore dhe shiu ka përfshirë Shqipërinë ditën e sotme. Gjatë orëve të fundit situata është përkeqësuar, në disa qytete në veri dhe juglindje. Trashësia e borës ka arritur deri në 40-50cm.

Bashkia Fushë-Arrëz ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të dendura të borës, njofton kryetari i bashkisë Hil Curri.

Ekipi i Emergjencave Civile të bashkisë, nënvizon me tej ai, po punon me të gjithë sektorët për përballimin e situatës.

Kryetari i bashkisë Hil Curri njofton se do të do të bej të pamundurën për të ju gjendur pranë banoreve me të gjithëve Njësitë Administrative, Iballe, Blerim, Fierze, Qafë-Mali.

‘Po koordinojmë punën me Emergjencat Civile Kombëtare për të përballuar situatën.’- njofton kryetari i bashkisë.

Ndërkohë Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dalë më një njoftim në lidhje me gjendjen e rrugëve në vend për shkak të motit të keq.

Kështu sipas ARRSH në aksin malor Vaudejes-Pukë-Kukës, Ura e Çerenecit-Bulqizë ka reshje të shumta dëbore, ku në Qafë Mali arrijnë deri në trashësi 40-50cm.

‘Në terren po punohet me 4 borëpastruese, qarkullimi kryhet me vështirësi dhe me kujdes, sidomos në segmentin Fierzë-Qafë Shllak pasi ka erë të fortë që e përhap borën nga bankina në rrugë, duke sjellë edhe prezencë të orteqeve, çka vështirëson punën e borëpastrueseve

Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve si dhe shmangia e këtyre akseve nga drejtuesit e mjeteve deri në qetësimin e situatës.’-njofton ARRSH.

Disa automjete janë bllokuar në rrugën e Arbrit, segmenti nga ura e Vashës deri në Qafën e Buallit pasi tentuan të lëvizin pa zinxhirë.

Në këto kushte, Policia Rrugore u detyrua të bllokojë plotësisht qarkullimin në Rrugën e Arbrit dhe lëvizja është devijuar në aksin e vjetër që kalon nga Shkopeti.

I gjithë qarku i Dibrës është përfshirë nga reshje intensive bore, ndaj këshillohet përdorimi i zinxhirëve edhe akset Peshkopi-Maqellarë- Bulqizë dhe Peshkopi-Kala e Dodës – Kukës.

Në aksin nacional Korçë-Bilisht në afërsi të fshatit Cangonj një taksi doli nga rruga për shkak të ngricës dhe përfundoi në kanal. Për pasojë dy pasagjerë mbeten të plagosur. Rrugët e qarkut të Korçës janë të kalueshme, përfshirë Qafë-Thanën por shoferët këshillohet të përdorin zinxhirë në makina.

Në Kukës trashësia e borës shkon nga 15 deri në 30 cm. Fshatrat malorë Topojan, Zapod, Grykë Çaj dhe Arren, janë të izoluara nga bora dhe ka mungesë të energjisë elektrike. Ndërsa rrugët nacionale janë të kalueshme me zinxhirë, Si Kukës-Krumë, Shishtavec, Bushtrice. Në Rrugën e Kombit kompania kontraktore po punon për ta mbajtur të hapur me borëpastruese edhe pse reshjet janë intensive. Në segmentin nga tuneli i Kalimashit në Fan qarkullohet me vështirësi.

Edhe në qarkun e Shkodrës reshjet e dëborës janë intensive këtë të shtunë. Aksi Bogë-Qafë Thore, është bllokuar, kësisoj fshati turistik i Thethit ka mbetur në izolim. Ndërsa rruga e Vermoshit kalohet me zinxhirë.

Po kështu vështirësi paraqet Puka, ku bora bie pa ndalim prej disa orësh. Rruga nacionale Pukë – Fushë Arrëz - Mirditë është e kalueshme me zinxhirë.

Në Mirditë trashësia e dëborës shkon në 25 cm, ku disa fshatra malor në Selitë e Orosh janë në izolim. Po kështu ka mungesë të energjisë elektrike.

Era e fortë ka vështirësuar lëvizjet në rrugën nacionale Lezhë-Milot, ku për pasojë një kamion është përmbysur në anë të urës, fatmirësisht pa pasoja në njerëz.

Trafiku paraqitet i rënduar, ndërsa policia rrugore apelon drejtuesit e mjeteve të ulin shpejtësinë.

Lini një Përgjigje