Një skandal i vërtetë ka shpërthyer në QKB, pasi janë ndryshuar të dhënat e një biznesi pa pritur vendimin e zbardhur të gjykatës...
Ashtu si shumë institucione të tjera, duket se edhe Qendra Kombëtare e Biznesit është kthyer në një qendër pazaresh dhe dallaveresh. Janë me mijëra biznese të regjistruara aty, por kur vjen puna te zbatimi ligjit, nuk do t’ia dijë kush.
Pranë “Pamfletit” ka mbërritur një denoncim, ku tregohet me fakte se si drejtoresha e QKB, Iris Ago, ka bërë ndryshimin e të dhënave të aksioneve në një biznes, pa pasur një vendim zyrtar gjykate, por duke u bazuar vetëm te dispozitivi.
Për të qenë më të saktë. Ortakët e biznesit “Vëllëzerit Hazizllari”, Arion Hazizllari dhe Hasan Qama kanë pasur një proces gjyqësor mes tyre. Pas një vendimi të marrë nga Gjykata e Beratit, çështja ka kaluar në Apelin e Vlorës, ku gjykata vendosi ndryshimin e të dhënave të biznesit. Ortakut Hasan Qama i kaluan 50 për qind të aksioneve dhe po ashtu u vendos ndryshimi i emrit të subjektit.
Por këtu nis skandali. Në QKB është dorëzuar një kërkesë nga një studio përmbarimore e drejtuar nga Lefter Canaj, e cila kërkon zbatimin e vendimit të gjykatës. Kjo studio dorëzon në QKB një dispozitiv të vendimit, pasi vendimi nuk ishte zbardhur ende. Kaq ka mjaftuar dhe QKB menjëherë ka bërë ndryshimet në regjistër. Mirëpo avokati i zotit Hazizllari ka konstatuar se janë shkelur një numër i madh nenesh, pasi nuk është zbardhur vendimi plotë i gjykatës dhe pa të nuk mund të ndërmerret asnjë vperim.
Përmbaruesi ka dorëzuar dokumente jo në formën e kërkuar nga ligji (Kodi i Procedurës Civile), pasi asnjë nga vendimet nuk është i vulosur nga gjykatat respektive, sekretaria dhe kancelaritë përkatëse, të cilat me ligj kanë detyrën të identifikojnë vërtetësinë e vendimeve të gjykatave të të gjitha instancave gjyqësore. Me pak fjalë, Gjykata nuk ka nxjerrë asnjë urdhër ekzekutimi.
“Në kushtet sa më sipër organi administrativ QKB, ka vepruar në kundërshtim me nenin 45 te ligjit Nr.9723, datë 03.05.2007 "Për Regjistrimin e Biznesit" i ndryshuar , pasi vendimi gjyqësor nuk është sjellë në formën e kërkuar nga ligji që kemi cituar si më sipër. Palës që unë përfaqësoj me veprimet tuaja të paligjshme, i ka ardhur një dëm i konsiderueshëm, pasi regjistrimi është bërë pa dokumentacionin origjinal dhe jo në formën e kërkuar nga ligji. Palës ankuese i keni privuar të drejtën që çështja të zgjidhet me vendim përfundimtar nga Gjykata e Lartë, e cila ka të drejtë ligjore që me kërkesën tonë të pezullojë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Apelit siç parashikohet në nenin 4 79 të K.Pr.Civile”, thuhet në ankesën që avokati i zotit Hazizllari ka bërë në QKB.

Më tej ai ka kërkuar që të bëhet anulimi i ndryshimeve të të dhënave. Vetëm pas kërkesës së tij, institucioni e ka kuptuar se është në shkelje flagrante, por nuk ka rikthyer të dhënat e mëparshme. Përmes një shkrese të firmosur nga drejtoresha Iris Ago, QKB i kërkon sqarime gjykatës nëse ka vlerë juridike apo jo dispozitivi. Edhe pse ligji është i qartë, Iris Ago me shkresën e datës 22.5.2023 kërkon të dijë nga gjykata nëse ka vlerë të njëjtë dispozitivi me vendimin final.

Padyshim jemi në kushtet e një skandali. Në momentin që zbardhet vendimi final, subjektit i lind e drejta të bëjë ankimim në Gjykatën e Lartë dhe të kërkojë pezullimin e zbatimit të tij. Mirëpo Iris Ago nuk ka pritur për një gjë të tillë. Ajo menjëherë në regjistër ka bërë kalimin e 50 për qind të aksioneve dhe po ashtu ka ndryshuar emrin e subjektit. /Pamfleti

Lini një Përgjigje