TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Janar 2025, 19:35

Daja i prokurorit Xhevat Hana ngre dyshimet e forta: E helmuan sepse po kopsiste disa dosje të mëdha, një ndër to ajo e Remzi Hoxhës

Shkruar nga Pamfleti

Daja i prokurorit Xhevat Hana ngre dyshimet e forta: E helmuan sepse po kopsiste

Pas Selami Hanës, vëllait të prokurorit të ndjerë të Krimeve të Rënda që kërkoi pak ditë më parë zbardhjen e rastit të vdekjes së vëllait, ka reaguar edhe daja i Xhevat Hanës. Z.Ahmet Çollaku thotë për gazetën “SOT”, se nipi i tij nuk ka vdekur për arsye natyrore. Sipas tij, Xhevat Hana është helmuar. Dyshimet e tij janë se eliminimi i tij mund të ketë ndodhur për dosjet e mëdha që kishte në duar, ku më përvëluesja ishte ajo e Remzi Hoxhës.

Dyshimet e forta që ngre daja i Xhevat Hanës

“Më 5 janar të vitit 2011, nipi im Xhevat Hana, Prokurori i Krimeve të Rënda, ndërroi jetë. Ishte një vdekje e sforcuar, një helmim. Ishte muaji i Panairit të Librit kur u takuam dhe pimë kafe aty pranë; ishte buçko. Nëse do të lexoni shtypin shqiptar, aty nga viti 2011 e këtej, do të kuptoni dramën e madhe të familjes Hana, vdekjen e nipit tim, të princit të Rrajcës, atij që nuk kishte frikë. Ashtu si heronjtë e përrallave. Tani, nipi im nuk ka për të zbritur kurrë aty në Majë të Hundës, aty ku është busti i Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, aty ku rruga automobilistike përshkonte gati një rreth, aty ku të shëmbëllente sikur ishe në një podium antik që sodiste një ndeshje gladiatorësh.

Pra, që andej, si në fundin e një gote vere, nipi im, Xhevat Hana, do të sodiste këtë peizazh magjepsës me dëshirën sublime. Do të ecte tri orë më këmbë deri në Skënderbe. Shtëpia e Xhevatit atje në Skënderbe nuk duket nga Maja e Hundës, mund të duket me ndihmën e një pasqyre reflektuese lart në qiell. Një herë, vite më parë, rrugën deri në Skënderbe e bëmë bashkë: unë, Xhevati dhe Gurija, nëna e tij, çupa e xhaxhait të madh. Shkuam nga Polica, një rrugë plot me kujtime fëminore. -Kam shumë punë, -tha diku Xhevati. -Mos mu telendis shumë,- ia ktheu Gurija, nëna e tij, mbështjellë flokët me shami… Atëherë nipi im luftonte për një ideal të madh, për drejtësinë kombëtare. Dhe nuk kishte frikë, ishte trim, kërkonte rrënjët e krimit, qeveritarët që bënin kërdi. -Kujdes, -e porosisja unë, por ai nuk më dëgjonte.

Xhevati ka lindur në fshatin Skënderbe, në një shtëpi ndërtuar me gurë gëlqerorë, rrëzuar nga ajo faqe mali mbi krye. Gurë që u gdhendën nga ustallarët e fshatit, brezat e atyre që ndërtuan Stambollin. Ky prokuror ndeshej me ujqër të mëdhenj. Ah, më duket se unë e mora më qafë nipin tim; unë u bëra shkaktar që ai ndoqi shkollën e drejtësisë, në këtë vend ku drejtësia kërkohet me kandil dhe të huajit i hedhin ujë… Nipin tim ma helmuan, ashtu siç kanë helmuar shumë strategë. Të vjen për të qarë kur shikon shtëpinë e tij në Skënderbe. Tani duket si një karakollë ku ka plasur një bombë. Metamorfozë shqiptare… Nipin tim e helmuan sepse ai po kopsiste disa dosje të mëdha, si atë të Remzi Hoxhës, të Rrugës së Kombit e të tjera. Ai që bëri këtë gjëmë, del në dritare, pastaj zbret dhe ngjit shkallët pa u fshikur nga asnjë hithër.

Është ai që diskrediton një komb të tërë, mëkatari. Kurse Rama… Zoti e di se kujt i predikon. Atje në Skënderbe, shtëpia e Xhevat Hanës u shemb. Tani duket si mure, si brinjë të një njeriu misterioz, a një fosile parahistorike. Zaten kështu i ka shkuar fati Rrajcës: dikur Serbi e dogji tri herë, socializmi e bëri copa-copa, demokracia krijoi ligjin 7501… Eh, çfarë s’bën poshtërsia, dinakëria, tradhtia. Ja çfarë shkruan një qytetar poshtë një shkrimi: “I nderuar, njerëz si Xhevati janë aq të mëdhenj e të lartë, sa politikanët apo qeveringomarët e vendit tonë nuk ia vlejnë as t’i zënë me gojë. Xhevati do të kujtohet nga populli shqiptar si prokurori që akuzoi dhe fitoi mbi qeverinë.” Ç’kohë po jetojmë? Sidoqoftë, në Rrajcë mungon busti i nipit tim!”, shprehet ai për gazetën “SOT”.

Kush ishte Xhevat Hana dhe çfarë zbuloi për Remzi Hoxhën?

Xhevat Hana ishte një nga prokurorët më të njohur të Shqipërisë, me një karrierë të gjatë në drejtësi, për disa kohë dhe si këshilltar i presidentit Alfred Moisiu. Xhevat Hana lindi më 28 mars të vitit 1953. Ai e nisi karrierën e tij në organet e hetimit në Mat, mandej punoi në Sarandë, në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, e më pas në Prokurorinë e Përgjithshme. Hana edhe prokurori i dosjes së rrëmbimit, torturimit dhe zhdukjes pa gjurmë të Remzi Hoxhës, çështje që ka implikuar direkt Shërbimin sekret të viteve ‘90, të drejtuar nga Bashkim Gazidede.

Ai ishte i vetmi që çoi në gjykatë njerëzit e SHIK-ut të Gazidedes, përkatësisht Arben Sefgjinin, Ilir Kumbaron dhe Avni Koldashin që dyshohet se zhdukën biznesmenin shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, i cili kishte filmuar takimin trepalësh të ish-presidentit Sali Berisha me homologët e tij në atë kohë Sllobodan Milosheviç të Serbisë dhe Kiro Gligorov të Maqedonisë në Shën Naum. Gjatë vitit 2011 ai qëndroi i shtruar për një kohë të gjatë në një spital publik të Tiranës, por familjarët u detyruan ta transportonin në Itali për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, ku edhe ndërroi jetë në 5 janar 2012. /SOT

Lini një Përgjigje