TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Nëntor 2025, 22:38

Daci shpjegon paqartësitë ligjore në rastin Balluku: Përgjigjen e jep Kushtetuesja

Shkruar nga Pamfleti

Daci shpjegon paqartësitë ligjore në rastin Balluku:

Avokati Jordan Daci ka komentuar vendimin e GJKKO për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku, me kërkesë të SPAK, duke analizuar bazën ligjore dhe konfliktet e mundshme kushtetuese që krijon ky rast.

Duke folur në emisionin "Review”, Daci theksoi paqartësitë në ligj lidhur me kategoritë e funksionarëve për të cilët kjo masë sigurie mund të zbatohet duke theksuar se masa e vendosur me kërkesë të SPAK ngre çështje serioze kushtetuese dhe krijon mundësinë e një konflikti kompetencash mes gjyqësorit dhe ekzekutivit.

Sipas tij, ligji ka paqartësi mbi zbatimin e kësaj mase ndaj drejtuesve të lartë politikë dhe vetëm Gjykata Kushtetuese mund të përcaktojë nëse gjykata ka ndërhyrë në kompetencat e kryeministrit.

Kudo ku është kërkuar interpretim i zgjeruar, është bërë duke iu referuar nenit 103 të Kushtetutës, që thotë se anëtari i Këshillit të Ministrave gëzon imunitetin e deputetit”, shtoi ai. Në paragrafin e dytë thuhet se kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli. Kjo shpjegon edhe paqartësinë që krijon terminologjia e ligjit. Është një term jo i qartë dhe krijon pasiguri për të kuptuar nëse kemi të bëjmë me persona të zgjedhur drejtpërdrejt apo tërthorazi nga populli”, u shpreh ai.

Sipas Dacit, në Shqipëri vetëm kryetarët e bashkive zgjidhen realisht drejtpërdrejt nga qytetarët, ndërsa të gjitha pozicionet e tjera politike burojnë nga partitë.

Daci theksoi se imuniteti i ministrave, natyra e postit dhe roli i kryeministrit në përbërjen e qeverisë e bëjnë rastin të pazakontë dhe të vështirë për interpretim, ndërsa paralajmëron se kërkesa e kryeministrit për sqarim kushtetues legjitimohet vetëm nëse provohet realisht një konflikt kompetencash ndërsa nënvizoi se pezullimi i një anëtari të kabinetit qeveritar mund të konsiderohet ndërhyrje në kompetencat kushtetuese të kryeministrit.

Ajo që shtrohet sot është: a mund të aplikohet kjo masë ndaj drejtuesve të lartë, siç është një anëtar i kabinetit? Nga njëra anë, kryeministri përcakton përbërjen e ekzekutivit; nga ana tjetër, gjykata thotë se po zbaton një masë sigurimi. Interesi i kryeministrit përfundon vetëm nëse konstatohet konflikt kompetencash. Nëse konflikti është vetëm hipotetik, atëherë interesi nuk qëndron. Për mendimin tim, kërkesa nuk është e legjitimuar – ajo legjitimohet vetëm nëse ekziston realisht një konflikt kompetencash”, tha ai.

Sipas juristit, Edi Rama ka ngritur një hipotezë legjitime, por që duhet vlerësuar vetëm nga Gjykata Kushtetuese:

Zoti Rama ka të drejtë në hipotezën që ngre, por që të qëndrojë, duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese”, deklaroi Daci.

Ai thekson se, nga këndvështrimi i kryeministrit, gjyqësori po ndërhyn në përbërjen e qeverisë, një akt që është kompetencë ekskluzive politike.

Ideja e tij është se aktet e gjyqësorit po ndryshojnë kabinetin qeveritar, ndërkohë që ndryshimi i kabinetit është akt politik i kryeministrit, bashkë me presidentin dhe parlamentin,” tha Daci.

Por, sipas tij, gjykata pretendon se nuk po e zëvendëson një anëtar të kabinetit, por vetëm po e pezullon, si pjesë e masave të sigurisë.

Ky nen është marrë nga Kodi Italian i Procedurës Penale, por ajo që ndodhi në vitin 2016 është se vetë qeveritarët hoqën imunitetin e tyre”, theksoi ai.

1 Komente

  1. P
    Pal

    Për zotin Daci ; mendoj se ligji është i qartë flet për persona të zgjedhur jo funksione të zgjedhura ( siç është kryebashkiaku a kryekomunari)por në kushtet e shqipêrisë ku një palë e shohin të bardhën të bardhë dhe pala tjetër e sheh të zezë e askush nuança të së bardhës ligjit duhen shkruar duke i sqaruar germë për germë dhe Daci kostitucionalist i fortë nuk arrin ta ndajë tog fjalëshin person i zgjedhur nga tog fjalëshi funksione të zgjedhura.

    Lini një Përgjigje