
Reshjet e shiut të javëve të fundit, të cilat sipas ekspertëve kanë qenë brenda normales për stinën e dimrit, kanë nxjerrë në pah probleme serioze në infrastrukturën rrugore në Shqipëri. Në disa zona të vendit, rrugë të ndërtuara vitet e fundit janë dëmtuar rëndë, duke shkaktuar bllokime në akse të rëndësishme.
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Dorian Teliti, hodhi poshtë pretendimet se dëmtimet janë shkaktuar nga moti i keq.
“Ne kemi struktura shtetërore që matin sasinë e reshjeve dhe gjatë javëve të fundit nuk është raportuar asgjë e pazakontë. Ka qenë shi normal i stinës së dimrit”, u shpreh Teliti.
Sipas tij, fakti që dëmtimet po ndodhin kryesisht në rrugët e ndërtuara vitet e fundit tregon se problemi lidhet me cilësinë e punimeve dhe jo me kushtet atmosferike.
“Si është e mundur që shiu të paska dëmtuar vetëm rrugët e ndërtuara gjatë këtyre viteve të fundit? Pse nuk dëmtohen rrugët e ndërtuara në periudha të tjera? Kjo tregon se problemi nuk është moti, por cilësia e punimeve”, deklaroi ai për "Syri Tv".
Teliti akuzoi qeverinë se projektet infrastrukturore janë copëzuar në lote më të vogla për t’u shpërndarë përmes tenderëve tek kompani të afërta me pushtetin.
“Projektet janë copëtuar në distanca të ndryshme për t’u dhënë tendera sa më shumë miqve dhe shokëve, që secili ndërtues oborrtar të marrë nga një ‘llokmë’. Dhe rezultati është cilësi skandaloze e punimeve, ku mjafton një shi normal që rrugët të shkërmoqen”, tha Teliti.
Sipas tij, problemi lidhet me një marrëveshje të heshtur mes tre aktorëve kryesorë që përfshihen në projektet infrastrukturore.
“Abuzimet ndodhin kur bien dakord treshja: shteti që financon projektin, ndërtuesi që e zbaton dhe supervizori që duhet të mbrojë interesin publik. Kur kjo treshe bie dakord, atëherë kryhen punime abuzive vetëm për të vjedhur paratë e projektit”, u shpreh ai.
Teliti theksoi se kjo situatë ka sjellë edhe pasoja ekonomike për zonat e prekura nga bllokimi i rrugëve.
“U bllokua juglindja për 10–11 ditë. Sot nuk flitet më për turizëm në Korçë apo në Pogradec, ndërkohë që ekonomia e këtyre zonave mbështetet pikërisht te turizmi. Kush do t’i kompensojë këto dëme për bizneset dhe qytetarët?”, deklaroi ai.
Lini një Përgjigje