
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi e ka ‘shitur’ raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit, si një dokument të rëndësishëm për forcimin e integritetit zgjedhor në vend.
Në një reagim në X, Celibashi theksoi se raporti i ODIHR-it duhet të shërbejë si një udhërrëfyes për të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë.
“Do të jetë shenjë serioziteti dhe përgjegjshmërie institucionale dhe politike e të gjithë aktorëve të lidhur me procesin zgjedhor, për të punuar mbi gjetjet dhe rekomandimet e Raportit Final të ODIHR-it për zgjedhjet e 11 majit, si pasqyrë e plotë e këtyre zgjedhjeve.”-shkruan Celibashi.
Celibashi me këtë reagim po përpiqet të zbehë gafat me votimin elektronik dhe votën e diasporës që rezultuan një dështim.
Votimi elektronik edhe pse pretendohej që të nxirrte rezultatin brenda pak orësh, në të vërtetë e nxori ditën tjetër.
Për më tepër duhet thënë që jemi i vetmi vend që zgjedhjet u mbajtën në maj dhe rezultati u certifikua në shtator.
Po ashtu Celibashi u ndal edhe te domosdoshmëria e reformës zgjedhore, teksa bëri thirrje për një angazhim konkret të forcave politike, sidomos të atyre parlamentare, për të përfunduar një reformë të thellë dhe domethënëse brenda një afati njëvjeçar.
Reagimi i plotë:
Do të jetë shenjë serioziteti dhe përgjegjshmërie institucionale dhe politike e të gjithë aktorëve të lidhur me procesin zgjedhor, për të punuar mbi gjetjet dhe rekomandimet e Raportit Final të ODIHR-it për zgjedhjet e 11 majit, si pasqyrë e plotë e këtyre zgjedhjeve. Gjykimet dhe vlerësimet mbi gjykimet dhe vlerësimet “gjykatësit të zgjedhjeve” nuk kanë ndonjë dobi. Partitë politike, veçanërisht ato parlamentare, duhet të angazhohen për të përfunduar një reformë domethënëse zgjedhore brenda një viti. Sa i përket KQZ: Vlerësimet pozitive thuajse për gjithçka që ky institucion bëri në lidhje me përgatitjen dhe administrimin e këtyre zgjedhjeve janë shtysë për të bërë akoma më mirë atë që duhet bërë.
Lini një Përgjigje