
Analisti Andi Bushati thotë se SPAK dhe GJKKO mund të jenë vënë në shërbim të pushtetit, por nuk ka asnjë provë që hedh mbi to hije dyshimi për korrupsion.
Duke folur në media, ai tha se sado që mund të krenohemi për mungesë korrupsioni, nuk themi dot se janë të pavarur.
“Nëse do të thoja një gjë pozitive, për Dumanin dhe në përgjithësi për SPAK, ndryshe nga pjesët e tjera të drejtësisë, nuk ka pasur akuza thelbësore për korrupsion. Ka disa akuza nga opozita, por nuk ka prova konkrete që proceset lidhen me para. Mungesa e korruptimit flagrant të SPAK dhe GJKKO mund të quhet pozitive. Por ne drejtësi të pakorruptuar kemi pasur edhe në komunizëm. Por a ishin ato organe drejtësie të pavarura? Absolutisht jo! SPAK-ut nuk mund t’i vëmë vulën e të korruptuarve, por të levës në shërbim të pushtetit politik. Sado t’i lavdërojmë për mungesë hajdutllëku, kjo nuk mjafton për të folur për drejtësi të pavarur”, tha ai në “MCN”.
Bushati tha më tej se në hetimi ndaj kryebashkiakut Veliaj është një spektakël i drejtësisë së kontrolluar nga Rama.
“Idiotët e dobishëm sot duartrokasin. Thonë: e imagjinonit që Veliaj do të ishte sot në burg? Por për çfarë mbahet sot në burg Erion Veliaj, mbahet për abuzimin e të shoqes. Pra një burrë i pafuqishëm për të përballuar vanitetin e gruas. A mund të sillemi si idiotët e dobishëm që thonë se erdhi fundi i pandëshkueshmërisë. Kemi të bëjmë me një spektakël të drejtësisë. Procesi Veliaj nga forma duket si një goditje e madhe, por është në kuadrin e këtij spektakli. Po ta krahasojmë me goditjet që Edi Rama po i jep Veliajt nga brenda partisë kuptojmë që ka një sinkronizim. Janë të rakorduar. Erion Veliaj është sot i dënuar politik", tha ai.
Lini një Përgjigje