TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Shkurt 2026, 13:55

Bodrumet e pallateve nën ujë, banorët: Dëme të shumta dhe rrezik për fëmijët

Shkruar nga Pamfleti

Bodrumet e pallateve nën ujë, banorët: Dëme të shumta

Reshjet e fundit të shiut kanë sjellë përmbytje në katet e nëndheshme të disa pallateve të ndërtuara vitet e fundit në lagjen “Besëlidhja” të qytetit të Lezhës.

Sipas banorëve, vërshimi i ujërave ka mbushur bodrumet me mbi 2.5 metra ujë, duke shkaktuar dëme materiale dhe duke krijuar shqetësim të vazhdueshëm. Ata shprehen se situata përsëritet sa herë ka reshje me intensitet të lartë, ndërsa prania e ujit për disa ditë rrezikon strukturat e ndërtesave dhe sigurinë e fëmijëve.

“Këtu është bërë problem sa herë bie shi. Vjen përmbytja nga Millenium tek pusi kryesor. Uji vjen nga qyteti këtu. Është djegur edhe ashensori që ka kushtuar 6900 Euro. Bodrumet mbushen mbi 2.5 metra me ujë. Askush nuk merret. Pusetat janë të mbushura plot e të papastruara. Janë të hapura. Zgjidhja është me tubacione të mëdha por këta nuk e kanë futur as në projekt”, tha një banor.

Një tjetër banor theksoi se problematika është përkeqësuar pas ndryshimeve në infrastrukturë.

“Prania e ujit është shumë problem se na ka djegur ashensorin, na ka bllokuar rrugën. Problem është uji që mblidhet tek rotondo e vjen këtu. Dikur ka qenë kanali kullues por pasi është ndërtuar rruga, uji i gjithë qytetit mblidhet këtu. Sa herë që bie shi mbushet plot me ujë”, u shpreh ai.

Banorët e lidhin situatën me ndërtimet pa kriter dhe mungesën e një plani të qartë për mbrojtjen nga përmbytjet. Si zgjidhje, ata shohin investimin që ka nisur prej muajsh për sistemin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza në të gjithë qytetin e Lezhës, duke shpresuar se ndërhyrja do të shmangë përmbytjet e përsëritura në zonë.

 

Lini një Përgjigje