
Shtetësia shqiptare nuk do të jepet më me kërkesë të thjeshtë apo referencë politike. Në Fletoren Zyrtare është publikuar udhëzimi i ri i Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, i cili përcakton procedura dhe kritere të reja për dhënien e pasaportës shqiptare për të huajt që pretendojnë kontribute të veçanta në fushën e artit, kulturës apo sportit.
Sipas dokumentit të firmosur nga ministri Blendi Gonxhja, aplikantët duhet jo vetëm të jenë talente të njohura, por edhe të kenë përfaqësuar ose promovuar Shqipërinë në skenën ndërkombëtare, si dhe të kenë kontribuar konkretisht në nisma, projekte apo organizata që lidhen me interesin publik në këto fusha.
Procesi parashikon disa hapa: fillimisht, kërkesa vjen nga Agjencia për Programet e Shtetësisë, më pas ngrihet një komision i posaçëm në Ministri për të shqyrtuar rastin dhe në fund përgatitet një raport përfundimtar, që përcakton nëse aplikanti rekomandohet për miratim ose jo.
Dokumenti përfshin edhe detaje mbi dokumentacionin që duhet dorëzuar, si dëshmi të aktivitetit ndërkombëtar, prova të përfaqësimit të Shqipërisë, apo të mbështetjes konkrete të projekteve të lidhura me interesin kombëtar.
Ky udhëzim vjen pas kritikave dhe dyshimeve për mënyrën se si janë dhënë më herët pasaporta shqiptare përmes “meritës së veçantë”, shpesh pa transparencë dhe me ndikime politike. Megjithëse udhëzimi sjell një strukturë më të qartë, mbetet ende i paqartë se si do të vlerësohet “interesi kombëtar” dhe kush vendos për peshën e kontributit të aplikantëve.
Praktika e dhënies së shtetësisë përmes promovimit kulturor apo sportiv është përdorur nga qeveritë shqiptare për vite me radhë, herë si nxitje për talentet dhe herë si instrument simbolik. Tani duket se loja do të ndryshojë, të paktën në letër.
Gjeti dhe nje vend kume fut duret Blendi! Tani do dhe ky pjesen e vet!