TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet12 Janar 2024, 11:25

“Beteja” e panjohur e 2003, kur bunkerët e Enverit sfiduan raketat e NATO-s

Shkruar nga Ferdinand Dervishi
“Beteja” e panjohur e 2003, kur bunkerët e Enverit sfiduan
Në Karaburun, aeroplanmbajtsja "Harry S Truman" /

Një histori e pazakontë, që i ka dhënë një përgjigje pikëpyetjes së madhe që mundonte dikur komunistët shqiptarë: Bombat e NATO-s, apo të imperialistëve amerikanë, a do ti vrisnin nëse do të strehoheshin brenda bunkerëve?

Përballë një populli të vogël si shqiptarët, historia e bunkerëve të komunizmit do të mbetet e pazakontë. Për sa kohë Shqipëria vijon të identifikohet, nga të huaj, edhe përmes historisë së tyre, është herët të thuhet se ata janë në fundin e protagonizmit. Bunkerët e komunizmit janë ende realë dhe të fortë dhe këtë e treguan edhe në vitin 2008, në Gërdec, duke i mbijetuar një shpërthimi të ngjashëm vetëm me atë atomik. Gjithsesi përgjatë historisë, që nga ideimi i tyre, ngjarja që i ka bërë më shumë të përfolur, apo debatsjellës, është mbajtur sekret. Ajo ka lidhje me një stërvitje të ekuipazhit të aeroplanmbajtëses amerikane “Harry S. Truman”, të zhvilluar në Karaburun në janar 2003. 

“Beteja” e panjohur e 2003, kur bunkerët e Enverit sfiduan

Marrëveshja e vështirë

Kontakti i parë me realitetin e një aeroplanmbajtësjeje me ekuipazh 6800 marinarësh, aq sa banorë kishte në këtë kohë qyteti i Orikumit, kishte qenë gjithsesi për tjetër qëllim. Në fillim të vitin 2003, teksa anija, sa një qytet lëvizës, ishte instaluar në Adriatik, një oficere amerikane, pjesëtare e stafit të “USS Harry Truman”, kishte kontaktuar një nga kryepushtetarët e Vlorës si dhe drejtuesin e policisë.

Takimi kishte si qëllim mundësimin e zbarkimit të marinarëve të anijes gjigande në Vlorë me qëllim që të argëtoheshin. Por një nga pyetjet e vështira për veshët e shqiptarëve kishte qenë ajo e prezencës ose jo të shtëpive publike, apo mundësive të tjera që marinarët të kishin kontakt me femrat. Në këtë pikë shqiptarët kishin tundur kokën për të përforcuar më tepër se zakonisht mohimin kategorik: Jooooo, punë që s’bëhet! Oficerja kishte hapur sytë, ndërsa, vendalinjtë përballë saj, kishin argumentuar: Shiko si është puna, mentaliteti i banorëve është shumë larg kërkesave tuaja. Fjalia e fundit e oficeres kishte qenë: Por ju po i thoni jo një mundësie të madhe përfitimi. Marinarët shpenzojnë shumë në kësi rastesh, të tjerët do na lusnin...

Gjithsesi, për rezultat, marinarët e “USS Harry Truman” këto kërkesa biologjike i plotësuan në Korfuz. Por, teksa argëtoheshin në ishullin grek, duket drejtuesve të aeroplanmbajtëses u lind një tjetër ide: të shfrytëzonin brigjet shqiptare për të bërë, kësaj radhe, qitje luftarake.

Kështu të njëjtët oficerë të aeroplanmbajtëses kontaktojnë me drejtuesit e marinës ushtarake shqiptare dhe sërish me autoritetet lokale e policinë e Vlorës. Takimi realizohet në D2D (Distrikti Detar 2) në Vlorë. Kërkesa e amerikanëve ishte të mundësohej qitje luftarake në faqen e jashtme të Karaburunit.

Këmbëngulja i kalonte kufijtë e zakonshëm. Kjo sepse për pak javë, më 20 mars 2003, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët do të sulmonin Irakun dhe specialistët e ushtrive të tyre kishin zbuluar se bunkerët e Enverit ishin të ngjashëm me ata të Sadam Huseinit.

Por këtu kishte një tjetër problem. Në Karaburunin e pamat, që nga Kepi i Ravenës (mbi Llogara) e deri në Kepin e Gjuhzës (fundi i gadishullit) kullosnin rreth dhjetë tufa me dhi, të gjitha në pronësi të fshatarëve të Dukatit. Vetëm një tufë numëronte mbi 700-800 krerë dhe amerikanët sërish ishin gjendur përballë një tjetër pamundësie marrëveshjeje me shqiptarët. Por nuk ishin tërhequr.

Tepër të merakosur, që këtë radhë miqtë dhe aleatët e mëdhenj të mbeteshin të kënaqur, krerët e marinës dhe të pushtetit lokal organizojnë të paktën dy takime me barinjtë në një nga lokalet e shumta të Dukatit. “E pamundur. Kecat janë të sapopjellë, do na ngordhin...”, ishte pretendimi i barinjve dukaqotë. Gjithsesi amerikanët sërish këmbëngulin, dikur barinjve u tingëllon përftimi në vesh, bien dakord që të huajt të paguajnë për një sasi ushqimi të bagëtive dhe më në fund binden të largojnë kecat nga Karaburuni. Por që të sillje në Dukat disa tufa nga ekstremi fundor i gadishullit nuk ishte e lehtë. Duhej mbase një javë kohë. Kështu që u mendua një tjetër zgjidhje.

Marina ushtarake shqiptare vuri në dispozicion një anije dhe tre tufa me bagëti, që u gjendën në ekstrem të Karaburunit, u mbartën për në ishullin e Sazanit.

Më në fund narinarët e “USS Harry Truman” mund të bënin qitje në Karaburun. Në kalendarin on line të anijes gjithsesi këto veprime janë konsideruar si “manovra luftarake në bashkëpunim me ushtrinë shqiptare, në afërsi të portit të Vlorës, të nisura me 25 janar 2003”.    

“Beteja” e panjohur e 2003, kur bunkerët e Enverit sfiduan

Vizita e mirënjohjes

Pasi faqes së jashtme të Karaburunit iu bë edhe një kontroll i fundit, marinarët e “USS Harry Truman” kryen qitje me raketat e tyre ndaj bunkerëve të vjetër të Enverit, qoftë statike, drejtpërdrejt nga anija, qoftë me anë të avionëve reaktivë. Largësia e qytetit të Vlorës, në distancën 16 km, e lejonte një manovër të tillë. Banorët e Vlorës asokohe dëgjuan zhurma të shpërthimeve, që vinin nga Karaburuni, por nuk bënë ndonjë reklamim të njohur.

Pasi realizuan qëllimin e tyre, ushtarakët e huaj u larguan pa ndonjë ceremoni të veçantë nga ujërat shqiptare. Sipas kalendarit të anijes, ata janë ngjitur në veri, për të qëndruar në periudhën 31 janar – 05 shkurt 2003, në Koper të Sllovenisë.

Por amerikanët duket nuk e harrojnë nderin që ju bënë shqiptarët. Më 10 shkurt 2003, një ditë para se anija e stërmadhe të largohej përfundimisht nga Adriatiku e Joni, për tu nisur drejt Lindjes së Mesme, disa shqiptarëve të veçantë u mbërrin ftesë për vizitë zyrtare. Në krye të shpurës, që do të realizonte të quajturën “vizita e mirënjohjes”, do të ishte ish-kryeministri shqiptar Fatos Nano.

Në listën e ftesave ishin gjithashtu edhe ish-prefekti i Vlorës, Sh. Gjika, Kyetari i Bashkisë, Orikum, B. Kashuri, drejtori i Policisë, N. Nallbati, një zyrtar i lartë i Marinës Ushtarake Shqiptare, B. Petoshati, dy oficerë të tjerë të ministrisë së Mbrojtjes (njëra femër) dhe në fund grupit i bashkohej edhe një shoqërues i kryeministrit.

Nisja u bë nga Rinasi me një avion special të aeroplanmbajtëses me kapacitet 12 vende. Amerikanët bënë kujdes që askush të mos kishte me vete kamera apo fotoaparat, i veshën të gjithë me kostume speciale, që mund të shërbenin si shpëtues në rast të rrëzimit në ujë, dhe fluturuan në drejtim të Malit të Zi.

Avioni u ul në pistën e aeroplanmbajtëses i kapur me kavo dhe shqiptarët i priti vetë komandanti i madh i “USS Harry Truman”, Michael R. Groothousen. Vizita gjashtë orëshe kalon nëpër disa ambiente të anijes 13 katëshe, shqiptarët habiten me sistemin e saj të sigurisë, dy nëndetëset e inkorporuara, katër destrojerët që e rrethonin në largësi të barabartë si dhe dy helikopterët që patrullonin në ajër non stop. Madje për nder të shqiptarëve amerikanët bëjnë ngritjen e 4-5 avionëve luftarakë, që u lëshuan të ndihmuar nga katapulta dhe në ulje u frenuan të kapur me kavo. Gjithçka, deri në drekën zyrtare, shkon mirë e bukur. Madje kryeministri gjen rastin për humor. Thumbon të vetmin anëtar shqiptar të aeroplanmbajtëses, një djalosh nga Tirana, emigruar në Shtetet e Bashkuara me anë të lotarisë: “Duket shqiptari, i zgjuar... Të tjerët shkojnë të luftojnë, ai zgjedh të bëjë ciceronin...”

I njëjti, Nano, do të kujtohej më pas edhe për një tjetër histori. Dikur i shkrepet të pijë cigare dhe pasi mëson se ajo nuk lejohet kategorikisht, zbret të tymosë në një ambient jo shumë zyrtar, tri kate më poshtë, atje ku ishin ngjeshur më shumicë marinarët duhanpirës të anijes.

Gjatë drekës zyrtare shqiptarët mësojnë se atë ditë ishte shtypur edhe një numër special i gazetës periodike  të anijes, me titull “Give ‘em hell”, që kishte të pasqyruar, në faqe të parë, vizitën e kryeministrit shqiptar.

Habia ishte shtuar edhe më tej kur kishin vënë re se, në krye të shkrimit për Shqipërinë e shqiptarët, thuhej se ata ishin të prejardhur nga Arianët (Aryan) dhe se të parët e tyre, Ilirët, kishin formuar shtresëzimet e popullsisë parahelene (para greke) në Ballkan.

Por kulmi, ai kulmi faktik, do të shënohej aty nga mesi i gostisë, kur një nga oficerët e lartë amerikanë, duket më tepër i sugjestionuar sesa i dehur, i përkulet ti flasë në vesh një ushtaraku shqiptar anglishtfolës, pjestar të delegacionit. “Dëgjomë miku im. Juve ju faleminderit shumë që na mundësuat stërvitjen në Karaburun. Por unë dua të të pohoj diçka që do të lutesha të mos bëhej publike. Ata bunkerët tuaj të kohës së komunizmit, edhe pse i qëlluam me të gjitha llojet e predhave e raketave, nuk u shpërbënë. Në rastin më të mirë vetëm i kemi lëvizur nga vendi, 20 apo 30 centimetra”./Pamfleti

beteja e panjohur e 2003 bunkerët e enverit raketat e natos

Lini një Përgjigje