
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk u paraqit sot në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitje për aferën e Partizanit.
Berisha ishte parashikuar që të shkonte para oficerit të policisë gjyqësore në orën 10:00, por nuk u paraqit pasi raportohet se është sëmurë me virozë. Në ambientet e SPAK ishte vetëm avokati Ledio Nuraj, i cili njoftoi prokurorët.
Më 30 qershor, në GJKKO do të mbahet seanca e parë e gjyqit për Partizanin me të pandehur Berishën, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerët.
Elsa Ulliri, kryesuese dhe Bib Ndreca e Rudina Palloj janë treshja e gjyqtarëve që do të gjykojnë dosjen Partizani. Sali Berisha do të bëhet i ish zyrtari më i lartë në historinë politike të vendit që do të dalë para një trupe gjykues në përballjen e parë të vërtetë me drejtësisë. Pritet një gjyq i gjatë, me dëshmitarë dhe paraqitje provash, pasi asnjë prej të pandehurve nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar.
Nën akuzë për korrupsion, Sali Berisha do të përgjigjet për aferën e privatizimit të klubit Partizani, për të cilën SPAK thotë se ai shfrytëzoi pushtetin që i jepte pozicioni i Kryeministrit për të pasuruar familjen e tij, përmes dhëndrit Jamarbër Malltezi. Ky i fundit do të përballet me drejtësinë për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Lini një Përgjigje