TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Shkurt 2025, 15:55

BE mbështetje SPAK-ut: Vijoni pa asnjë ndikim goditjet, të hapen deklaratat e pasurive të pushtetarëve

Shkruar nga Pamfleti
BE mbështetje SPAK-ut: Vijoni pa asnjë ndikim goditjet, të hapen
Dumani me ambasadorin e BE

Ndërkombëtarët vijojnë t’i japin mbështetje SPAK-ut, teksa prokuroria po përballet me shumë presion...

Teksa SPAK po përballet me presione javët e fundit, qoftë majtas, qoftë djathtas, ndërkombëtarët vijojnë ta mbështesin Strukturën e Posaçme dhe reformën në drejtësi.

Në data 11 dhe 12 shkurt u mbajt takimi i 16-të i Nënkomitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë, ku të pranishëm ishin Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani dhe Valentina Superti, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian.

Sipas një njoftimi për mediat nga zyra e BE në Tiranë, Komisioni Evropian përshëndeti rezultatet e vazhdueshme të organeve të specializuara për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Roli i SPAK-ut dhe pavarësia e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve komplekse të korrupsionit dhe krimit të organizuar ka qenë guri i themelit i reformës në drejtësi të vitit 2016, konsolidimin e vazhdueshëm të së cilës BE-ja e mbështet dhe promovon si pjesë përbërëse e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë. SPAK-u ka kontribuuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë për të ofruar një historik të besueshëm rezultatesh kundër krimit të rëndë, krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë në nivel të lartë”, thekson BE.

Komisioni Evropian bëri thirrje për forcimin e efikasitetit të kuadrit të parandalimit të korrupsionit veçanërisht në sektorët vulnerabël dhe rritjen e efektivitetit të verifikimit të deklaratave të pasurisë. Pra BE kërkon që të hapen deklaratat e pasurive të pushtetarëve.  

Lidhur me progresin në zbatimin e reformës në drejtësi, Komisioni përshëndeti përfundimin me sukses të procesit të rivlerësimit të përkohshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetingu) të shkallës së parë. Komisioni rikujtoi nevojën për konsolidimin e vazhdueshëm të pavarësisë, llogaridhënies, integritetit dhe cilësisë së gjyqësorit, si dhe përpjekjet për të rritur efikasitetin në të gjitha nivelet. Komisioni rikujtoi gjithashtu nevojën për të vazhduar monitorimin e përpjekjeve për të ushtruar ndikim të padrejtë në gjyqësor”, thekson më tej BE, duke dhënë dhe një mesazh mbi zhvillimet e fundit.

Për bashkëpunimin në fushën e luftës kundër drogës, Komisioni mori dijeni për krijimin së fundi të një Sistemi kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm dhe nxiti funksionalizimin e plotë të tij. Komisioni inkurajoi gjithashtu krijimin sa më shpejt të jetë e mundur të një Observatori Kombëtar të Drogave funksional dhe me burime të mjaftueshme. Shqipëria u ftua të sigurojë zbatim të fortë ligjeve për shkeljet kundër kultivimit të ligjshëm të kanabisit. /Pamfleti

Lini një Përgjigje