
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga burgu lidhur me ndarjen nga e parakohshme nga jeta të të gazetarit dhe analistit të njohur, Artur Zheji.
Meta shkruan se është i trishtuar nga lajmi për ndarjen nga jeta e Zhejit. Ai e cilëson si një intelektual të angazhuar dhe një profesionist brilant, i cili gjatë gjithë karrierës së tij mbrojti vlerat e lirisë së medias dhe parimet e shtetit të së drejtës.
Kreu i PL kujtoi gjithashtu rolin e rëndësishëm të Zhejit si bashkëkryetar i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, i cili dha një kontribut të çmuar politik e shoqëror.
“Me pikëllim të madh mora lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit profesionist dhe analistit brilant, Artur Zheji.
Një intelektual i angazhuar, veçanërisht në mbrojtje të pavarësisë së medias, vlerave të lirisë dhe parimeve të shtetit të së drejtës, Zheji udhëhoqi edhe si bashkëkryetar Komitetin për Mbrojtjen e Kushtetutës, duke dhënë një kontribut të paharruar politik e shoqëror që përherë do të vlerësohet me respekt.
Është trishtim i madh kur një mik dhe një profesionist si ai humbet jetën në mënyrë kaq të papritur dhe në kulmin e pjekurisë jetësore dhe profesionale.
Një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme, jo vetëm për familjen e tij, por edhe për komunitetin e gazetarëve, me të cilët ndaj ngushëllimet e mia më të sinqerta!
I paharruar kujtimi i Tij! Të prehet në paqen e merituar!”, shkruan Meta.
Lini një Përgjigje