
Altin Dumani dhe Mirela Bogdani kanë shkelur afatet ligjore për emërimin e drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. BKH është kthyer në institucion të komanduar, ndërsa politika dhe grupet ekonomike po negociojnë emrin e “të zgjedhurit”.
Kanë kaluar më shumë se dy muaj që Byroja Kombëtare e Hetimit funksionon pa drejtues të ligjshëm. Procesi i përzgjedhjes është zvarritur me shkelje të Ligjit nr. 95/2016 nga SPAK dhe KLP, ndërsa burime të sigurta konfirmojnë përplasjen e fortë mes kupolës së drejtësisë dhe qeverisë për kontrollin e dy strukturave më të ndjeshme të hetimit.
Kanë kaluar dy muaj që Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) është pa drejtues ligjor, në kundërshtim të plotë me Ligjin nr. 95/2016 për organizimin e institucioneve të drejtësisë penale. Megjithatë, as drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, as kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, nuk kanë zbatuar detyrimin për të përmbyllur procesin e përzgjedhjes dhe emërimit të drejtorit të ri të BKH-së.
Në vend të zbatimit të afateve ligjore, BKH drejtohet aktualisht nga një prej kandidatëve të komanduar, në një akt që juristët e konsiderojnë shkelje të hapur të ligjit dhe ndërhyrje të drejtpërdrejtë politike.
Sipas ligjit, pas përfundimit të mandatit të Aida Hajnajt më 31 gusht 2025, drejtori i ri i BKH duhej të ishte zgjedhur jo më vonë se 30 gushti, në bazë të procedurës që nis me shpalljen e garës, testimet dhe verifikimet e figurës e pasurisë së kandidatëve. Por procedura është bllokuar qëllimisht.
Që nga 7 prilli 2025, kur Dumani hapi garën, procesi është zvarritur në çdo fazë:
-Testimet fizike e profesionale u shtynë disa herë;
-Testi i së vërtetës (Poligrafi) u krye me vonesë;
-Verifikimi i figurës dhe pasurisë, që duhej përfunduar më 20 gusht, nuk është mbyllur ende.
Burime brenda SPAK konfirmojnë se të shtatë kandidatët kanë kaluar testimet, janë certifikuar dhe janë në pritje vetëm të verifikimit të figurës, një procedurë që sipas ligjit zgjat jo më shumë se 30 ditë. Por, më 22 gusht, Altin Dumani nuk dërgoi emrat në KLP, siç përcakton ligji. Në vend të kësaj, ai dhe Bogdani kanë përdorur justifikimin e një shtyrjeje prej 6 muajsh nga komisioni i vlerësimit të figures; një arsye që ekspertët e konsiderojnë “të fabrikuar” për të mbajtur BKH-në nën komandë politike deri në fund të vitit.
Në prapaskenë, zvarritja e procesit lidhet me pazaret e mëdha politike për kontrollin e dy institucioneve kyçe të hetimit: SPAK dhe BKH. Në dhjetor pritet të zgjidhet drejtuesi i ri i SPAK, dhe vonesa e zgjedhjes së kreut të BKH po përdoret për të siguruar që të dy postet të emërohen në të njëjtën kohë, sipas balancave të kërkuara nga qeveria dhe grupet e interesit.
Në këtë situatë, BKH është kthyer praktikisht në një institucion të paralizuar. Pa drejtues të ligjshëm, pa kompetencë për vendime madhore dhe nën drejtimin e përkohshëm të një kandidati të komanduar në mënyrë të paligjshme, kjo strukturë nuk mund të zhvillojë hetime të ndjeshme.
Kjo krijon një vakum që, sipas burimeve të Pamfletit, po shfrytëzohet nga politika për të manipuluar dosjet e mëdha, duke penguar nisjen e procedimeve për disa çështje që prekin zyrtarë të lartë të mazhorancës dhe rrjete financiare të lidhura me qeverinë.
Në thelb, kjo është goditja më e rëndë që i bëhet reformës në drejtësi që nga viti 2016. Struktura që u krijua për të hetuar korrupsionin e nivelit të lartë, sot kontrollohet përmes komandimeve të paligjshme. Dhe SPAK e KLP, në vend që ta garantojnë pavarësinë, janë bërë pjesë e një loje të hapur politike.
Nëse deri në fund të dhjetorit nuk emërohet drejtori i ri i BKH, Shqipëria do të hyjë në vitin 2026 me një sistem hetimor pa drejtim të ligjshëm, një precedent që minon çdo standard të pavarësisë së drejtësisë dhe që e zhvesh plotësisht SPAK-un nga kredibiliteti ndërkombëtar./Pamfleti
Lini një Përgjigje