
Pas hetimit pasuror, SPAK ka dorëzuar dosjen në GJKKO ku tashmë pritet të vendoset seanca paraprake për të vlerësuar nëse kalon ose jo për gjykim.
Prokuroria e Posaçme, (SPAK) ka dërguar për gjykim dosjen e deputetit demokrat, Asllan Dogjani, i cili akuzohet për mosdeklarim të pasurisë.
Pas hetimit pasuror, SPAK ka dorëzuar dosjen në GJKKO ku tashmë pritet të vendoset seanca paraprake për të vlerësuar nëse kalon ose jo për gjykim. Kjo do të vendoset nga gjyqtarja Rudina Palloj.
Më herët, Dogjani ka deklaruar se ka qenë në SPAK për të trajtuar një rast të grabitjes së pronës publike në Tiranë, konkretisht për një pronë ku ai vetë banon.
Dogjani ka shpjeguar se një ndërtues kishte zaptuar një pronë publike dhe kishte legalizuar në mënyrë të jashtëligjshme një tokë që ishte planifikuar për një kopsht dhe lulishte.
Ai ka akuzuar se zaptuesi i pronës kishte lidhje familjare me një deputet dhe se ky i fundit kishte bërë kallëzim ndaj tij.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 2 dhjetor 2024, përcolli pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për gjykim ndaj të pandehurit Asllan Dogjani, deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
I pandehuri Asllan Dogjani akuzohet për kryerjen e veprës penale deklarim i rremë i pasurisë, e parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Deklarimi i rremë për përfitimin e një apartamenti
Më 24 Mars 2010, në deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës pranë ILDKPKI, deklaroi se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2, i cili ndodhet në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial”, në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen.
Në mbështetje të këtij deklarimi, ai paraqiti kontratën me nr.7030 rep. dhe 781 kol. të datës 6 dhjetor 2006, tek e cila, i pandehuri u mbështet sërish edhe në deklarimin e datës 16 Qershor 2023, pas zgjedhjes së tij si deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Në ndryshim nga deklarimet e bëra, hetimet e këtij procedimi penal treguan se i pandehuri Asllan Dogjani është bërë pronari i apartamentit të lartëpërmendur, bazuar në kontratën me nr.7030 rep dhe 781 kol, dt.6 Shtator 2006, në të cilën parashikohej se vlera e apartamentit do të ishte 121.980 euro, shumë të cilën i pandehuri ia ka likuiduar shoqërisë, përmes pagesave cash.
Nga provat shkresore dhe ato të paraqitura nga dëshmitarë, rezulton se kontrata e datës 6 dhjetor 2006 mban të njëjtin numër rep. dhe kol. si ajo e datës 6 shtator 2006, por me ndryshimin e mënyrës së përfitimit të këtij apartamenti. Kjo tregon se kontrata është hartuar në mënyrë fiktive me qëllim deklarimin e rremë të burimit të krijimit të pasurisë së paluajtshme.
Procedimi penal nr.28, dt.08.02.2024
Vepra penale – “Refuzimi për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, – neni 257/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Ligjit nr.9049 datë 10.04.2023 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar.
Lini një Përgjigje