
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, me mbështetjen edhe të Policisë së Shtetit, po zhvillon një aksion për lirimin e hapësirave që janë përdorur si pika grumbullimi për mjetet e përdorura.
Deri më tani janë evidentuar 526 të tilla për lirimin e të cilave po punohet.
Në ndjekje të aksionit ditën e sotme, në zonën e Lushnjes, ka qenë edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla.
“Sot në vijim të operacionit, të nisur prej 2 javësh, janë evidentuar 526 pika. Ka filluar lirimi vullnetarisht, pjesa tjetër vijon përmes gjobave dhe masave administrative. Operacioni ka qenë i ndarë në 3 javë, pas njoftimeve, bizneset kanë patur një kohë për largimin vullnetar dhe ka patur një reagim shumë pozitiv. Këtë javë kemi filluar dhe me gjobat e masat administrative”, nënvizoi drejtori i IKMT, Ervin Hoxha.
Ndërsa ministri Balla tha se në asnjë vend europian nuk shihet një pamje e tillë.
“Ligji është në fuqi prej 11 vitesh dhe mos harroni se është një rrugë europiane, vjen nga Gjermania, në Kroaci, zbret në Shqipëri për në Greqi. Në asnjë vend të botës nuk lejohet që në këtë rrugë, me këtë lloj intensiteti të ketë pamjen me makinat e vjetra të hedhura”, u shpreh ministri i Brendshëm.
Lini një Përgjigje