TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Gusht 2025, 19:11

Aksioni i SPAK, IMT e Tiranës distancohet nga aferat e 4 punonjësve të saj: Nuk përfaqësojnë punën tonë

Shkruar nga Pamfleti

Aksioni i SPAK, IMT e Tiranës distancohet nga aferat e 4 punonjësve

Pas ndërhyrjes së SPAK dhe Policisë së Shtetit në Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit në Tiranë, ku u arrestuan dy punonjës dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim për korrupsion dhe shpërdorim detyre, vjen reagimi zyrtar i këtij institucioni. Por, siç ndodh shpesh në administratën shqiptare, reagimi është një përpjekje për të larë duart dhe për të shkarkuar fajin te “veprimet individuale”.

Në deklaratën për mediat, IMT Tiranë e dënon ngjarjen dhe njofton se ka shkarkuar nga detyra punonjësit e përfshirë në aferën korruptive. Institucioni thotë se distancohet plotësisht nga aktet në fjalë, duke theksuar se këto nuk përfaqësojnë punën dhe misionin e IMT-së.

“Ky rast nuk përfaqëson punën dhe misionin e IMT-së… Jemi të përkushtuar për integritet, transparencë dhe profesionalizëm… Inkurajojmë qytetarët të denoncojnë raste të ngjashme”, thuhet në reagimin standard të IMT-së.

Reagimi i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Tiranë:

Marrë shkas nga ngjarja e ndodhur ditën e sotme, ku katër punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit kanë shkelur rëndë ligjin, bëjmë me dije opinionin publik se institucioni ynë e dënon me vendosmëri këtë rast.

Sjellje të tilla janë të papranueshme dhe IMT distancohet plotësisht nga këto veprime individuale. Ndaj personave të përfshirë janë marrë menjëherë të gjitha masat e nevojshme administrative, duke i shkarkuar nga detyra.

Theksojmë se ky rast nuk përfaqëson punën dhe misionin e IMT-së. Institucioni ynë mbetet i përkushtuar të vijojë punën me integritet, transparencë dhe profesionalizëm, në shërbim të interesit publik dhe në mbrojtje të territorit.

IMT inkurajon organet ligjzbatuese për bashkëpunim të plotë dhe ndëshkimin e rastit sipas ligjit, si edhe inkurajon çdo qytetar të denoncojë raste të ngjashme, në mënyrë që të mos mbetet asnjë hije dyshimi mbi integritetin e institucionit dhe misionin e tij.

 

Lini një Përgjigje