TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Janar 2024, 15:14

Aferat me pronat në bregdet, pezullohen nga detyra 11 zyrtarë të Kadastrës në Lezhë

Shkruar nga Pamfleti
Aferat me pronat në bregdet, pezullohen nga detyra 11 zyrtarë të
Rana e Hedhun

Lufta e madhe bëhet për pronat te Rana e Hedhun, ku të gjithë pretendojnë se janë pronarë, duke privatizuar rërën.

Vijojnë aferat me pronat në bregdetin e Lezhës. Sipas burimeve, 11 zyrtarë të Kadastrës së Lezhës janë pezulluar nga detyra.

Zyrtarët e pezulluar janë Albana Gjinaj, Marinela Tuci, Orstela Bardhaj, Sebastjano Gjetja, Besjon Ivanaj, Ornela Marku, Eglantin Lleshaj, Dorina Sulaj, Xhentil Gjegji, Vitore Lleshi, Diljana Prenga.

Ata janë vënë nën hetim nga Prokuroria e Lezhës, pasi sipas organit të akuzës nuk kanë zbatuar një vendim gjykate në lidhje me një pronë në zonën e "Ranës së Hedhun" në Shëngjin.

Mësohet se bëhet fjalë për tjetërsimin e 234 548 metër katrore tokë shtetërore ranishte në zonën e  Ranës së Hedhur, e cila ishte tjetërsuar me dokumente të falsifikuara, për të cilën është dënuar me burg ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj, dhe ish-zyrtarë të tjerë.

Lidhur me këtë aferë pak kohë më parë u dënua ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj, me 3 vite burg. Fran Frrokaj është hetuar në gjendje të lirë, dhe në shtator të vitit 2020, Shkalla e Parë e dënoi me 4 vite burg, por Apeli i Shkodrës me një vendim të vitit 2022, vendosi t'ia ulë dënimin në 3 vite.

Tjetërsimi i pronave në Lezhë është çështje që prej vitesh i përket drejtësisë kur është bërë dhe goditja më e madhe e SPAK me sekuestrimin e 55 milionë eurove pasuri, të ardhura nga vjedhja e tokës së shtetit. 13 milionë euro pasuri të sekuestruar në korrik i përkasin grupit të Fran Frrokaj dhe 10 të tjerëve, për të cilët SPAK mbylli hetimet, ndërsa 42 milionë euro pasuri të sekuestruara në vitin 2017 i përkasin grupit të vëllait dhe motrës së ish-deputetit Arben Ndoka.

Lini një Përgjigje