
Avokati i njohur, Spartak Ngjela ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Ngjela foli për deklaratat e fundit te kreut të SPAK Altin Dumani.
Sipas tij, reagimet e Dumanit konfirmuan se drejtësia e re nuk pyet për emra. Avokati thotë se ky fakt evidenton se SPAK ka potencë të madhe sot në vend.
“Kjo tregon se hetimi i korrupsionit të lartë shtetëror në vend nuk pyet më për emra.
Kryesore është që të hetohen pastaj ka prova apo jo ata që po hetohen është çështje tjetër. Fakti që po hyjnë në hetim personalitete të tilla tregon se SPAK ka potencë të madhe sot në vend.
Fakti që ata bëjnë hetime do të thotë se ata dyshojnë, pastaj e provojnë ose jo korrupsionin e një kryeministri kjo do dal nga një gjykatë, provat jepen para një gjykate, atje pastaj ose merr pafajësi ose dënohesh”, u shpreh Ngjela.
Avokati Ngjela ka analizuar gjithashtu edhe ecurinë e procesit gjyqësor ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Duke marrë shkas nga vendimi i fundit i Apelit të Gjykatës së Posaçme, që la Berishën në "arrest shtëpie" duke i refuzuar kërkesën për liri, Ngjela tha se SPAK po e mban nën kontroll Berishën. Ai ka treguar dhe çfarë e pret ish-kryeministrin nëse pushohet si çështje.
Sipas avokatit, shteti ka hyrë në rrugën e drejtësisë me gjykata që nuk pyesin fare për emra.
“Ai shkoi në SPAK dhe e pranoi pyetjen e SPAK. Ai është në arrest shtëpie sepse nuk mund të arrestohet një 80 vjeçar, është i kontrolluar dhe për sa kanë nevojë do ta pyesin.
Është një proces hetimi që do kaloj në proces gjyqësor edhe nëse pushohet si çështje do kaloj në proces gjyqësor pushimi i prokurorisë. Shteti ka hyrë në rrugën e drejtësisë me gjykata që nuk pyesin fare për emra”, u shpreh Spartak Ngjela.
Ai është ndalur dhe tek kaosi i krijuar në Kuvend dhe komisione nga deputetët e Berishës dhe Bardhit. Avokati tha se e kanë humbur ekuilibrin nga frika e hetimeve të SPAK. Ngjela thotë se me trazirat që deputetët e opozitës po krijojnë po cenojnë sovranitetin.
“Ata kanë humbur ekuilibrin. Në Kuvend nuk mund të ushtrosh dhunë dhe një shtet demokratik si ky yni sovranitetin e vendit e ruan Parlamentit. Ata po cenojnë sovranitetin. Se ca do të bëjë pushteti gjyqësore duhet parë. Nuk mund të bllokohet Parlamenti sepse ka shumë gjëra, është vijueshmëria juridike e një shteti, atje dalin ligjet e reja. Ata kanë humbur ekuilibrin sepse ka filluar hetimi në rangje të larta”, tha Ngjela.
Avokati vijoi duke thënë se pret që SPAK të mbyllë çështjen “CEZ-DIA”, e cila ka pasur një zhvillim të rëndësishëm së fundmi, pasi prokurorët morën në pyetjet gazetarin që intervistoi gruan e Kastriot Ismailajt, e cila me deklaratat e saj ka fundosur Ilir Metën.
“Të presim të flasë gjykata”, tha Ngjela.
Gjithashtu avokat Ngjela ka folur dhe për zhvillimin e fundit se më 27 shkurt, Gjykata e Lartë do të vendosë përfundimisht se kujt i takon të hetojë dosjen e 21 janarit, SPAK apo prokurorisë së Tiranës.
Ai thotë se nëse SPAK nëse do ta marrë pas kaq vitesh, tani kjo dosje do të gjykohet mbi denoncimet.
“Shumë mirë nëse do ta marri pas kaq vitesh, tani do të gjykohet mbi denoncimet. Tani do shohin do ta rifilloj çështjen penale, sepse ka qenë e filluar dhe është gjykuar, sepse tani duhet të ketë një provë të re që të filloj prapë hetimi. Do të duhet që të presim 27 shkurtin që të shohim vendimin që do të merret”, u shpreh Ngjela./ SOT
Lini një Përgjigje