Nesër më 23 janar, SPAK do të marrë në pyetje Sali Berishën në hetim për korrupsion pasiv, dhe dy ditë më pas, më 25 janar, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, në hetim edhe për pastrim parash për privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani.
Mes këtyre 2 datave pritet edhe një zhvillim i rëndësishëm. Gjyqtarja e Apelit të Posaçëm, Ilirjana Olldashi do të shqyrtojë kërkesën e Berishës për heqjen e “arrest shtëpie” dhe përjashtimin e Irena Gjokës, gjyqtares që ka caktuar masën e sigurimit personal ndaj ish-kryeministrit.
SPAK kishte thirrur Berishën më 17 janar për t’u marrë në pyetje, ndërsa Malltezin më 18 janar, por më kërkesë të avokatëve mbrojtës marrja në pyetje u shty.
Nuk dihet nëse Berisha do shkojë për t’u marrë në pyetje. Ish-kryeministri u vendos në arrest shtëpie pasi theu masën e sigurisë detyrim paraqitjeje disa herë.
SPAK akuzon Berishën për korrupsion pasiv, ndërsa ndaj Malltezit i ka shtuar edhe akuzën e pastrimit të parave, se ka përfituar 5.4 milionë euro nga ndërtimi i 19 kullave në territorin e ish-kompleksit sportiv falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Lini një Përgjigje