
Ndërtuesi Fatmir Bektashi, ortaku i Jamarbër Malltezit, dhëndrit të ish kryeministrit Sali Berisha është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Ai është lënë nën masën 'detyrim paraqitje'.
Kjo nuk është hera e parë që Bektashi shkon në SPAK, hera e fundit që u paraqit ishte më 6 nëntor. Ai akuzohet për kryerjen e veprave penale "Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendore", parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale", kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Kujtojmë se më 23 tetor, GJKKO caktoi masën "detyrim paraqitje" për Fatmir Bektashin i cili po hetohet për aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani.
Klubi sportiv "Partizani" ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, jo shumë larg nga qendra e Tiranës, ku sot janë 17 kulla në Rrugën "Frosina Plaku", tek ish Fusha e Aviacionit, qendra më të madhe sportive në zemër të kryeqytetit, me përmasa 26.000 metra katrorë, që në fund u pagua vetëm 14.000 euro.
Në nëntor të 2005, vetëm dy muaj pas marrjes së detyrës, Ministri i Ekonomisë Genc Ruli dhe ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu filluan procedurat e privatizimit të qendrës më të madhe sportive në zemër të kryeqytetit, me përmasa 26.000 metra katrorë, qe në fund u pagua vetëm 14.000 euro.
Në atë tokë sot janë ndërtuar dhe po ndërtohen ende dhjetëra kulla të kompleksit Magnet 1 dhe Magnet 2 që vlejnë 4.000 herë më shumë, nga të cilat Jamarber Malltezi, dhëndri i Berishës, është bashkëpronar me mbi 40% të aksioneve. Një çështje e errët që prodhoi fitime prej dhjetëra miliona eurosh.
Lini një Përgjigje