
Ish kryeministri, Sali Berisha duke folur nga dritarja e banesës ku po vuan masën “arrest shtëpie”, i ka kërkuar Erion Velaijt, të japë dorëheqjen nga kryetari i bashkisë pas aferës korruptive të kompanisë së ‘5 D’.
Më tej Berisha shtoi se nëse një gjë e tillë do të ndodhte në një vend të Europës, në 24 orë do të kishte protesta masive. Gjithashtu Berisha i ka kërkuar Veliajt që të largohet dhe të mos presë qytetarët të premten në zyrë.
“Imagjinoni pak të dashur qytetarë për një moment sikur në bashkinë e një kryeqyteti evropian, të Vjenës, Ljubjanës, Pragës, Parisit, Berlinit, Romës, të kishte ndodhur që paratë e taksapaguesve të qytetarëve vidhen jo me 20 apo 30 për qind ryshfet, por 100 për qind nga punonjësit e bashkisë. Pra, vjedhje, vjedhje, vjedhje totale duke mos kursyer asnjë qindarkë. Imagjinoni miq në qoftë se kjo do u ndodhte qytetarëve evropiane, që të vidheshin 100 për qind e parave me të cilat duhet të ndërtoheshin shkolla, kopshte, të asfaltoheshin rrugë, të përmirësohej ujësjellësi.
Imagjinoni miq çfarë do bënin qytetarët evropianë, nëse paratë në bashkitë e tyre do vidheshin jo 20, 30 për qind me ryshfet, por 100 për qind dhe do shndërroheshin në hotele luksoze, në pallate me qindra e qindra apartamente. Çfarë do bënin qytetarët europianë? Në 24 orë do të kërcenin për zverku hajdutët, do çlironin bashkinë, do e shndërronin atë në shtëpi të qytetarit.
Ndaj dhe ftesa jonë, të premten të gjithë si europianë të vërtetë kundër vjedhjes, kundër poshtërimit tonë, për dinjitetin tonë. Miq, Shqipëria dhe çdo vend ka njohur hajdutë, por hajdutë që të vjedhin fondet 100 për qind si Erion Veliaj, toka nuk ka njohur ndonjëherë, përveç atyre që thyejnë bankat. Të dashur miq, qytetarë dhe qytetare, pyesni pak, ku janë 130 milionë euro, para të taksapaguesve tanë për djegësin e Tiranës?
Askush nuk e di, por djegësi nuk ekziston. Ato pra u vodhën 100 për qind. Ku janë paratë e vjedhura në dhjetëra milionë euro, që shkuan tek 5 bastardë me në krye hajdutin Erion Veliaj? A mund ta pranojmë ne këtë poshtërim? A mund ta pranojmë ne këtë plaçkitje të këtij njeriu që meriton çdo epitet dhe çdo cilësim?
Erion Veliaj, jep dorëheqjen gjer të premten. Jep dorëheqjen! Populli i Tiranës, në këmbë për dinjitetin tënd, në këmbë kundër poshtëruesit dhe hajdutit, që ka shënuar rekordin më të paparë të historisë së shtetit shqiptar dhe ndonjë shteti tjetër. Erion Veliaj jep dorëheqjen urgjentisht, mos prit qytetarët të premten në zyrë. Hapja zyrat qytetarëve. Bashkia është shtëpia e qytetarëve dhe jo e hajdutëve”, tha ai.
Lini një Përgjigje