
Eksperti i kriminalistikës, Artan Rexhepi, komentoi deklaratën e fortë të drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, i cili tha të premten se krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori të Prokurorisë së Posaçme.
Rexhepi tha se është dakord që të rritet siguria e prokurorëve të SPAK dhe familjarëve të tyre, por jo deri në pikën që të ndihen të mbisigurt.
Ai tha që SPAK është një institucion që duhet të zbatojë ligjin, dhe nëse ndihet i mbisigurt mund të bëhet arbitrarë dhe të godasë këdo që i del përpara.
“SPAK-u si çdo institucion ka kufi ligji, nuk kemi pse ta mbivlerësojmë dhe në moszbatimin e ligjit. Jam dakord që të rritet siguria e prokurorëve, le të jenë të sigurt, por jo të mbisigurt, pasi ajo mund t’i bëjë arbitrarë. Kur them të mbisigurt kam parasysh ligjin. Nuk mund të bëhen si ai filmi “Shpatarja e verbër”, nëse e keni parë, dhe të godasë këdo që i del përpara. Duhet të jenë pak më elegantë në sjelljet e tyre. Nëse një prokuror i SPAK ndihet i kërcënuar, po një ekspert i pavarur që thirret nga SPAK-u, që s’ka as revole në brez, si ndihet?! Kam shumë respekt për atë institucion, por nuk do të merrja pjesë nëse më kërkohej, për të vetmen arsye se nuk do shisja privatësinë time. Jo se bëj ndonjë veprim të paligjshëm por thjesht ideja për përgjimin e celularit do ta refuzoja për çfarëdo lloj çmimi.
Është zgjedhja e tyre që e kanë zgjedhur atë punë, nëse nuk e pëlqejnë, tre rreshta është dorëheqja dhe të shkojnë në shtëpi”, tha ai.
Lini një Përgjigje