Mediat italiane vijojnë të ngrenë pikëpyetje mbi skemën e Melonit për të sjellë në Gjadër emigrantët e dëbuar...
Qeveria italiane do të tentojë sërish këtë javë të sjellë emigrantë në kampin e Gjadrit. Pas 3 dështimeve me emigrantë të kapur në det, Meloni ka ndryshuar strategji. Ajo do të sjellë aty individë të cilëve u janë refuzuar kërkesat e Azilit dhe janë në pritje të dëbimit.
Por sipas mediave italiane, në të njëjtën kohë, Qendra e Azilit dhe Imigracionit, në bashkëpunim me Grupin e Kontaktit të përbërë nga deputetë italianë të opozitës (Dhoma e Deputetëve dhe Senati) dhe Parlamenti Europian, do të kthehen në Shqipëri për të kryer një mision monitorues.
Misioni synon të verifikojë me kujdes kriteret e përzgjedhjes së personave të transferuar, metodat operacionale të transferimit dhe kushtet e qëndrimit në qendrën shqiptare, me vëmendje të veçantë respektimin e të drejtave të tyre themelore, përfshirë mbrojtjen ligjore dhe aksesin në kujdesin mjekësor.
Qendra e Azilit dhe Emigracionit denoncon me vendosmëri absurditetin dhe natyrën instrumentale të këtij operacioni, duke e përcaktuar atë si një përpjekje tjetër për të ushqyer një imazh të shtrembëruar të menaxhimit të migracionit. Dekret-ligji DL 37/2025 përfaqëson në fakt një masë emergjente që qeveria e ka justifikuar vetëm formalisht me nevojën e rikonvertimit të strukturave shqiptare pas dështimit të protokollit fillestar të nënshkruar me kryeministrin shqiptar Edi Rama.
Megjithatë, asnjë dokument zyrtar nuk ka sqaruar në mënyrë specifike arsyet e gjoja urgjencës së përdorimit të qendrës Gjadër për personat tashmë të ndaluar në Itali, në pritje të dëbimit.
Historikisht, ndalimi administrativ për qëllime riatdhesimi ka treguar efektivitet jashtëzakonisht të kufizuar, duke variuar midis 10% dhe 30% të kthimeve të kryera në të vërtetë krahasuar me njerëzit e ndaluar në CPR (Qendra të Paraburgimit për Riatdhesim). Prandaj, burimet ekonomike që i janë kushtuar kësaj praktike janë të pajustifikuara dhe, me dekretin aktual, janë të destinuara të shumëfishohen në mënyrë shqetësuese, kjo edhe nga mungesa e transparencës që e bën të vështirë identifikimin e kostove reale të mbartura për operacionet e përcaktuara si propagandistike të hapura.
Për më tepër, të dhënat aktuale tregojnë se Qendrat të Paraburgimit për Riatdhesim kanë vetëm 50% të kapacitetit pritës të zënë. Kjo nxjerr në pah qartë se si vendimi për transferimin me forcë të njerëzve në Shqipëri nuk i përgjigjet nevojave reale logjistike apo organizative, por merr një karakter qartësisht ndëshkues dhe armiqësor ndaj të gjithë atyre personave që, duke humbur të drejtën për të rinovuar lejen e qëndrimit, rrezikojnë t'i nënshtrohen transferimeve të detyruara përtej kufirit. /Përshtati “Pamfleti” nga “Stranieri In Italia”
Lini një Përgjigje