
Prova në gjuhën turke dhe punime te xhamia e Namazgjasë para se të mbërrijë Erdogani...
Vijon të vishet me mister dhe të ketë shumë pikëpyetje mbi vizitën që presidenti turk Recep Taip Erdogan do të zhvillojë në Tiranë.
Fillimisht kishte zëra që ai do të vinte më 7 tetor, ditën kur Hamasi sulmoi Izraelin, por vizita u shty më datë 10. Nuk ka asnjë axhendë zyrtare mbi qëllimin e saj, ndonëse “Pamfleti” në shumë shkrime ka hedhur dritë mbi atë që në fakt fshihet.
Padyshim kërkesa kryesore e Erdoganit do të jetë që Rama të dorëzojë gylenisët, kërkesë kjo e përsëritur me dhjetëra herë. Por në kuadër të kësaj kërkese, duket se qëllimi i Erdoganit do të jetë ndërhyrja te Komuniteti Mysliman, ose së paku të tentojë ta nxjerrë atë jashtë loje. Presidenti turk pretendon se kreu i KMSH dhe anëtarët e tjerë janë të lidhur me Gylenin e për këtë arsye do të tentojë të faktorizojë njerëz pranë tij.
Kjo do të bëhet përmes xhamisë së Namazgjasë, e cila me shumë gjasë do të inaugurohet prej tij këtë të enjte. Plani ishte që ajo të inaugurohej pas zgjedhjeve në krye të KMSH, por duke qenë se fitoi sërish Bujar Spahiu, Erdogan e shtyu inaugurimin. Sipas një video që ka publikuar sot “Ora News”, duket qartë që po bëhen prova në mënyrë që të mos ketë asnjë problem në atë xhami.
Shihet se provat bëhen në gjuhën turke, teksa përveç inaugurimit, pritet që Erdogan të falë dhe një namaz. Sipas zërave, ai pritet që drejtimin e xhamisë t’ia besojë një fondacioni pranë tij, duke tentuar të dublojë Komunitetin Mysliman. Po ashtu, përmes këtij fondacioni do të tentohet që më pas të merret KMSH.
Ndërkohë “Pamfleti” e raportoi pak ditë më parë se synimi i vërtetë i vizitës së Erdogan në Tiranë, është që të vendosë ‘kavanozin’ e radhës, pra të bëjë ofertën e parë, madje nuk është çudi që të sjellë edhe kaparin e investimeve në rindezjen e industrisë ushtarake shqiptare.
Me fjalë të tjera, në ish-uzinat ushtarake, që do të ringjallen me një plan të qeverisë shqiptare, Turqia kërkon të ketë primatin e investimeve.
Burime diplomatike i thanë ‘Pamfleti’-t, se bëhet fjalë për investime të mëdha që Ankaraja ka siguruar nga Katari dhe vendet e tjera islamike për të ngritur një industri prodhimi dronësh të lehtë, për t’i shitur kudo, por kryesisht në Lindjen e Mesme dhe zonat e tjera të Luftës që tashmë mund të përhapet si ‘vaji në lakra’. /Pamfleti
Lini një Përgjigje