
Ish-prokurori Eugen Beçi ndau mendimet e tij mbi dështimin e Komisionit Xhafaj, një strukturë që është kritikuar për refuzimin e saj nga disa institucione të rëndësishme të drejtësisë.
Gjatë diskutimit, Beçi theksoi se ka ndryshime thelbësore mes Komisionit Xhafaj 1 dhe atij të tanishëm, sidomos në mënyrën se si trajtohet reforma në drejtësi.
Beçi sqaroi se Komisioni Xhafaj 2 u refuzua për shkak se në të parin u trajtuan kryesisht çështje që lidhen me procesin e vetingut.
Sipas tij, ky fokus i ngushtë e bëri të pamundur adresimin e tre shtyllave kryesore që janë thelbësore për një reformë të suksesshme në drejtësi: transparenca, efikasiteti dhe profesionalizmi.
Ai nënvizoi se këto aspekte janë jetike për ndërtimin e një sistemi të drejtësisë që të jetë i besueshëm për qytetarët, por edhe i efektshëm për vetë gjyqtarët dhe prokurorët e vendit.
“Duhet të bëjmë krahasimin. Për këtë që flasim sot do duhet ta quajmë Komisioni Xhafaj 2. Të bëjmë një krahasim teknik. Pse ka një diferencim bardhezi në qëndrimet e institucioneve në vitet 2014, 2015 dhe 2016 dhe me institucionet e vitit 2024. Komisioni Xhafaj që kishte nisur pa marrë pushtetin Partia Socialiste, rakorduan në 2014, të gjitha institucionet e drejtësisë ishin të pavarura dhe çuan ekspertë në Komisionin Xhafaj 1. Çfarë ka ndodhur nga Xhafaj 1 tek Xhafaj 2? Të gjitha shoqatat dhanë mendime për reformën në drejtësi, për projektin e zotit Xhafaj dhe për atë studim për defektet e sistemit të drejtësisë, të gjitha përfunduan në një veting. Xhafaj 2 është krijuar për të rregulluar disa gabime, atë çka nuk e preku reforma e parë, që e kishin mendjen vetëm tek vetingu, nuk u morën me 3 shtylla. Efikasiteti ka të bëjë me rritjen e investimeve që të shtohen sallat e gjyqit. Transparenca dhe profesionalizmi, ka të bëjë me krijimin e sallave për çdo gjyqtar, shpejtësinë e gjykimit, rritjen e numrit të gjyqtarëve, prokurorëve, që një prokuror ose gjyqtar të mos ketë 600 dosje në dorë”, sqaroi ish-prokurori në emisionin “Review”.
Lini një Përgjigje