KLSH ka dhënë alarmin mbi koncesionet në shëndetësi, pasi të gjitha rezultojnë me probleme....
4 koncesionet në shëndetësi duket se janë gangrena korrupsioni. KLSH ka kryer një auditim pranë Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe ka zbuluar shkelje masive.
Një ditë më parë “Pamfleti” tregoi detaje nga koncesioni i Check-Up, i cili sipas KLSH ka rezultuar dështim. Vilma Nushi ka marrë miliona për shërbime të pakryera dhe po ashtu, nuk ka asnjë ndikim në uljen e nivelit të sëmundshmërisë në popullatë.
Por KLSH ka zbuluar shkelje dhe te 3 koncesionet e tjera. Sa i takon hemodializës, Klodian Allajbeu i Spitalit Amerikan ka përfituar 99 milionë lekë të reja për shërbime të pakryera. “Ka rezultuar se, edhe për vitin 2022, pagesa e koncesionarit nuk kryhet për shërbim të kryer, por për shërbim të faturuar, i cili përfshin likuidimin e rasteve të pakryera ose shprehur ndryshe nën projeksion vjetor, si dhe të rasteve të realizuara mbi projeksion mujor, të secilës Qendër dialize, në total 8,854 raste, nga të cilat 6,918 raste nën projeksion dhe 1,936 raste mbi projeksion, në shumën 99,191 mijë lekë, që përfaqëson pagesë për shërbim të pa kryer”, thuhet në raport.
Sipas KLSH, planifikimi i projeksioneve nuk është në përputhje me nevojat reale për kryerjen e shërbimit, mjafton të evidentohet fakti që rajonet Shkodër dhe Vlorë, që prej fillimit të këtij shërbimi në vitin 2016, paraqiten me realizim nën projeksion dhe rajonet Lezhë, Elbasan dhe Korçë paraqiten me mbi projeksion, gjë që ka sjellë pagesa jo vetëm për nën projeksionin e këtyre qendrave, por dhe pagesa për mbi projeksionin. KLSH kërkon rinegocimin e kontratës.
Sa i takon sterilizimit, KLSH konstaton se për ndërhyrjet kirurgjikale të kryera gjatë vitit 2022, në tre llojet e spitaleve, universitare, rajonale dhe bashkiake, ka përdorim të seteve të ndryshme për të njëjtën tipologji kirurgjikale, në 15,339 raste në Spitalet Universitare; në 8,708 raste në Spitalet Rajonale dhe në 55 raste në Spitalet Bashkiake.
“Niveli i lartë i deviacioneve, ku për të njëjtën tipologji kirurgjikale përdoren nivele të ndryshme të kompleksitetit të seteve, ku në spitalet universitare arrin deri në 52 % të rasteve, në spitalet rajonale deri në 48.5 % të rasteve, kundrejt totalit të ndërhyrjeve, reflekton mangësitë në përfshirjen e kirurgjive sipas tipologjisë, referuar nivelit të seteve, por dhe të përmbajtjes me instrumente mjekësorë të seteve referuar nivelit të kompleksitetit, gjë e cila është e shoqëruar edhe me rritjen e kostove të këtij shërbimi dhe për rrjedhojë të mbështetjes buxhetore për vazhdimësinë”, shprehet KLSH.
Lidhur me koncesionin e laboratorëve, është evidentuar se dhënia e këtij shërbimi është e kufizuar, nga kushtet e kontratës nr. 1924/2, datë 10.04.2019, pika 22.4 “Tavanet e buxhetit”, sipas të cilit koncesionari nuk mund të tejkalojë fondin e miratuar për spitalet në zërin “Laboratorët”, për rrjedhojë rastet shtesë duhet të transferohen në një listë pritje me përparësi, duke filluar nga periudha tjetër buxhetore e spitalit referues.
Sipas KLSH, përcaktimi i tavaneve vjetore buxhetore, kufizon kryerjen e analizave laboratorike për secilin spital, të sanksionuar në kontratën koncesionare të laboratorëve, duke rrezikuar ofrimin e analizave laboratorike, në masën e duhur, sipas nevojave spitalore dhe duke sjellë për pasojë drejtimin e pacientëve në marrjen e këtij shërbimi tek subjektet private, me kosto për qytetarët, si dhe përkeqësim të shëndetit nga moskryerja në kohë e analizave përkatëse. /Pamfleti
Lini një Përgjigje