
Gjykata e Durrësit ka caktuar masën “Detyrim paraqitje” për 8 të arrestuarit në konfliktin e ndodhur të dielën në “Kepin e Rodonit” në Durrës, përfshirë dhe ish-deputetin Mark Frroku.
Ndërkohë u dha në mungesë masa “arrest me burg” në mungesë për shtetasin Besnik Toma, kushëririn e ish-deputetit Frroku, i cili dyshohet se është personi që qëlloi në ajër me armë zjarri.
Prokurori Gëzim Veizi kërkoi qe te konsiderohej i ligjshëm arrestimi dhe kërkoi si masë sigurie detyrim paraqitje për shtetasit Bajram Kaculi, Erion Reka, Orion Reka, Ylli Reka (banorë të zones), si dhe për Mark Frrokun, Antonio Lazari, Martin Lazari dhe Pal Doda (përfaqësues të kompanisë të pajtuar nga Kisha Françeskane për kryerjen e rrethimit të parcelës së tokës.
Prokurori kërkoi arrest në burg për shtetasin Besnik Toma i cili dyshohet se ka qëlluar me pistoletë. Kërkesë qe u pranua edhe nga gjyqtarja Entela Shedula.
Pas lirimit, në sallën e gjyqit ai tha se ishte në vendin e punës kur u sulmua duke akuzuar banorët e zonës për konfliktin.
“Ishim në vendin e punës, konform të gjitha ligjeve shqiptare në fuqi. U konfliktuan ata që erdhën. Ne ishim në vendin e punës. Çfarë të them më tepër”, tha ai.
Ata u arrestuan nga policia e Durrësit dhe një tjetër u shpall në kërkim për përplasjen e dhunshme për pronën tek Kepi i Rodonit, që rezulton një konflikt pronësie i pa zgjidhur nga organet e drejtësisë. Të dielën e 29 tetorit, banorë të zonës, kundërshtuan punimet për rrethimin e një sipërfaqeje toke të pretenduar njëherësh nga Kisha Franceskane dhe nga Bajram Kaçuli. Sipas policisë, mollë sherri është kjo sipërfaqe toke, rreth 5 dynym e 417 metër e cila ka dalje në det.
Ish-deputeti Mark Frroku dhe shtetasit Antonio Lazari, Pal Doda dhe Martin Lazeri u arrestuan për “Kanosje”, “Moskallëzim krimi”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishje të rendit dhe qetësisë publike". Ata ishin shoqëruar në vendin e konfliktit, por më pas ndaj tyre u mor masa e arrestit. Në polici ish-deputeti Mark Frroku ka thënë se nuk kishte dijeni për konfliktin, ndërkohë që grupi i hetimit ka administruar pamje filmike ku janë dokumentuar veprimet e dhunës mes palëve. Praninë e tij në zone, Frroku e ka justifikuar si ndërtues i murit që ishte pajtuar nga përfaqësuesit e kishës, të cilët siç thuhet në njoftimin zyrtar, kanë certifikatë pronësie.
Për kushëririn dhe shoferin e tij Besnik Toma, të shpallur në kërkim, ish-deputeti ka thënë se nuk ka asnjë dijeni të jetë qëlluar me armë. Policia tha se Toma, është shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka qëlluar me armë në vendin e konfliktit ku u gjet edhe një gëzhojë pistolete. Ai është administrator i kompanisë “A.M-L Group”, e cila është kontraktuar për të kryer punimet e murit rrethues nga pjesëtarë të kishës.
Referuar dokumentacionit në QKB, në datën 3 korrik 2023, me vendim të Mark Frrokut, i cili është aksioner me 100% ka zgjatur emërimin e Besnik Tomës deri në vitin 2026. Nga pala tjetër në konflikt, janë vënë në pranga banorët e zonës, Bajram Kaçuli, pretendent i pronës dhe Erjon Reka, Ylli Reka e Erjon Reka, të akuzuar për “Plagosje të rëndë me dashje” dhe “Vetëgjyqësi”, të cilët janë konfliktuar me sende të forta me rojet e parkut dhe përfaqësues të kishës katolike që po kryenin punimet e rrethimit. Policia tha se ka proceduar në gjendje të lirë edhe shtetasin Ndue Sokoli për “Moskallëzim krimi”.
Konflikti i pronës tek Kepi i Rodonit ka nisur një vit më parë, kur Kisha Franceskane përmes kompanive private nisi punimet për rrethimin e tokës që e pretendon me çertifikatë pronësie. Punimet u kundërshtuan nga banori i zonës, Bajram Kaçuli që pretendon se ka edhe ai çertifikatë pronësie për të njëjtën zonë duke akuzuar palën tjetër për falsifikim. Çështja e dokumentacionit të pronës ndodhet në SPAK, madje prokuroria ka sekuestruar dosjet për verifikim, ndërsa Kisha ka vijuar ngritjen e rrethimit. Policia tha se për pretendimet e palëve për çertifikatën e pronësisë, janë referuar disa herë materialet në Prokurori, pas konflikteve që ka patur herë pas here mes palëve.
Lini një Përgjigje