
Leonardo Bonuçi pritet të vazhdojë karrierën e tij në Itali, ose më saktësisht 6 muajt e fundit të karrierës, pasi në mbyllje të këtij sezoni, mbrojtësi italian do të varë këpucët në gozhdë. Aventura tek Unioni i Berlinit nuk shkoi ashtu siç mendonte ai dhe për këtë arsye, do të ketë një prapakthehu në Serinë A, ku kanë nisur negociatat me Romën.
Për skuadrën e drejtuar nga Zhoze Murinjo, ai do të ishte një alternativë e vlefshme në prapavijë, duke pasur parasysh eksperiencën që ka e sidomos problemet e vazhdueshme me dëmtimet që kanë futbollistët e verdhekuqve. Por mbi të gjitha, është një “okazion” i merkatos, pasi ai shkon në Romë me një kosto të ulët.
Unioni i Berlinit është gati të ndërpresë marrëveshjen me futbollistin italian dhe ta lërë të lirë, ndërsa edhe pretendimet e tij financiare nuk janë të mëdha. Kështu, Roma do të paguante vetëm 1 milionë euro rrogë të muajve që i mbeten Bonuçit deri në mbyllje të këtij sezoni, sipas marrëveshjes që kishte me gjermanët.
Lojtari ka bërë të qartë se po kthehet në Itali me dëshirën për të luajtur 6 muaj si protagonist dhe që të kthehet në formën më të mirë. Mediat italiane insistojnë se këtë po e bën jo vetëm që të ketë një mbyllje të mirë të karrierës së tij në klube, por edhe për të luajtur shansin e fundit që ka për t’u kthyer në kombëtaren italiane.
Ëndrra e tij është të jetë me shiritin në krah në ndeshjen e parë që të kaltrit luajnë në "EURO 2024”, kur në Dortmund do të përballen me Shqipërinë dhe Bonuçi po bën gjithçka për ta kthyer në realitet.
Lini një Përgjigje