
Përfaqësuesja e Kosovës bëhet gati për ndeshjet kualifikuese të “EURO 2024” në një situatë shumë të tensionuar. Shkak është bërë mungesa në listë e sulmuesit Arbnor Muja, i cili është lënë jashtë listës nga trajneri Alen Zhires.
Lojtari ka fituar titullin kampion me Antverpën në Belgjikë, por nuk u ftua nga trajneri francez i Kosovës për këto dy ndeshje. Ndërkohë, janë hapur zërat se kjo ka lidhje edhe me një vendim të mundshëm të ish-lojtarit të Skënderbeut që të kalojë në radhët e Shqipërisë, meqë nuk ka luajtur asnjë sfidë deri më tani me “Dardanët”.
Zhires, sot në konferencë për shtyp deklaroi se Muja i kishte kërkuar garanci që të luante, ndaj nuk ishte pjesë e grumbullimit.
“Sa i përket Mujës, e kam ftuar për miqësoret që kemi pasur në nëntor por nuk ka ardhur. Pastaj e kam ftuar për ndeshjet e muajit mars dhe ishte pjesë e ekipit. Sa i përket këtyre ndeshjeve, Muja ka kërkuar garanci për vendin e titullarit, gjë që i kam shpjeguar se askush nuk e ka të garantuar një gjë të tillë. Dhe, nëse mendon kështu, atëherë është më mirë mos të vijë sesa të vijë e të mos luajë”, tha trajneri para mediave.
Pas këtyre deklaratave, ka reaguar vetë Muja nëpërmjet një postimi në Facebook, duke iu kundërpërgjigjur trajnerit dhe duke treguar se krisja mes tyre është e dukshme.
Statusi i Arbnor Mujës në Facebook:
Përshëndetje miq,
Deri sot kam heshtur për çështjen e mosftesës sime nga selektori i Përfaqësuesës së Kosovës, Alain Giresse.
Por sot, nuk do të heshti!
“Deklarata e selektorit Zhires që unë i kam kërkuar vendin e titullarit në ndeshjet e qershorit është e pavërtetë. Me selektorin Zhires dhe ndihmësin e tij kam biseduar gjatë pjesëmarrjes time në ndeshjet e marsit. Kërkesa ime ka qenë se ku qendroj në planet e selektorit Zhires për ndeshjet e ardhshme dhe pse nuk jam paraqitur kundër Izraelit dhe Andorrës. I kam treguar që mendoj që ka qenë e padrejtë mosprezenca ime në ndeshjet e marsit.
Secili trajner dhe staf i tyre që ka punuar me mua, e dinë që unë një gjë të tillë nuk e kërkoj kurrë. Emrin tim selektori mund ta thërrasë, mund ta lë në bankën rezervë, mund ta lë edhe në tribuna, por kurrë ta njollosë”, ishte kundërpërgjigja flakë për flakë e Mujës, që ka ndezur kësisoj një tjetër debat të zjarrtë te Kosova.
Lini një Përgjigje