
Trajner i ri, muzikë e vjetër. Kosova vazhdon të zhgënjejë tifozët, teksa së fundmi pësoi disfatë 3-0 ndaj Norvegjisë, në miqësoren e luajtur në Olso.
Një ndeshje pa shumë vlera, duke qenë se të dy kombëtaret nuk arritën dot të kualifikoheshin në Kampionatin Europian. Megjithatë, sado e vogël të jetë rëndësia e takimit, Haland është gjithmonë i përgatitur dhe këtë gjë e tregoi edhe sot. Sulmuesi i Mançester Sitit arriti të shnonte 3 herë në portën e mbrojtur nga Visar Bekaj, duke i dhënë kombëtares së tij një fitore me shifra të kënaqshme.
Nga ana tjetër, Kosova nuk tregoi shumë. Asnjë rast i rrezikshëm drejt portës kundërshtare nuk u krye gjatë gjithë lojës. Disa tentativa të Zhegrovës për të dhënë “show” ishin momentet më të mira të “Dardanëve”. U munduan të gjenin Muriqin me krosime në zonë, por sulmuesi nuk rezultoi asnjëherë i saktë. Një humbje 3-0 mund të dhembë, por kosovarët duhet të ngushëllohen me faktin që ishte vetëm një miqësore.
Lini një Përgjigje